Ekstradohet nga SHBA i dënuari nga Krimet e Rënda
TIRANË - Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Washington ka bërë të mundur ekstradimin nga Amerika për në Shqipëri të shtetasit Gramoz Yzeiri, 38 vjeç nga Fieri.
Ai ishte shpallur person në kërkim pasi ishte i dënuar për vrasje dhe për organizim kriminal. Yzeiri u arrestua në Texas më 7 prill të këtij viti ndërsa po hynte ilegalisht në territorin amerikan, me emrin Adriatik Papa.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në 25.02.2005 kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale " Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, armë mbajtje pa leje, municioneve në sasira të mëdha dhe fallsifikimit të dokumentave". Gjithashtu Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, në 25 Korrik, 2007 kishte caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg" për këtë shtetas për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim, në bashkëpunim dhe armë mbajtje pa leje", ndodhur në 13 qershor, 1998 në lagjen "Kastriot" në qytetin e Fierit, ku u gjend i vrarë me armë zjarri shtetasi Xheladin Qelia.
Ndërsa në 23 Prill, 2004 gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Gramoz Yzeirit u sekuestruan 2.5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, 3 pistoleta, 2 automatikë, një granat hedhës, sasi e madhe municioni dhe dokumenta të fallsifikuara, bënë të ditur burimet e Policisë së Shtetit.