Ja pse deputetët miliarderë të Ramës, do e bojkotojnë edhe për pak Parlamentin
Mëkatari i papenduar sajon vazhdimisht konflikte. Ujku - thotë populli - kërkon mjegull. Hajdutin e tmerron qetësia. Frika prej ndëshkimit qënka jo më pak e thekshme se ambicia për karrierë. Edhe pse miliarderë, kur janë në opozitë, deputetët socialistë ndihen të pasigurtë. Pushtetin ata e duan vetëm si mbrojtje për pasuritë e tyre të paligjshme. Humbja e zgjedhjeve paska qënë edhe një lajm tepër i frikshëm për ta. Çdo fitore e merituar kërcënoka avokatinë mashtruese të grabitësve. Dihet që dyshimi shkon në favor të fajtorit. Ashtu si pushteti i ligjshëm e ndihmon drejtësínë. Krimi gjithmonë e kthen fytyrën nga errësira. Bojkoti bllofist qenka nevojë jetike sidomos për ata që ndihen të akuzuar. Ai krijoka destabilitet dhe mbroka vjedhjen nga kërcënimi i ligjit. Të korruptuarve gjithmonë u duhet amoraliteti. Për ta të gjithë duhet të jenë të përlyer. Nderi nuk e lë të qetë turpin. Çdo pushtet i ligjshëm i lë mëkatarët pa gjumë. Është në interesin e tyre të dyshohen të gjithë njerëzit si vjedhës. Të shpallen të gjithë hileqarë. Shteti i së drejtës është “arkivoli” i korrupsionit. Miliarderëve socialistë u duhej një mëkatar i pandreqshëm dhe e gjetën tek Edvin Rama. Këtij të fundit i duheshin gardistë të betuar dhe i gjeti në mes të miliarderëve të partisë së tij. U rrokullis tenxherja - thotë populli - dhe gjeti kapakun. Kur Rama humbi zgjedhjet, skalionet e miliarderëve u tronditën. Prandaj, kur statuti i partisë kërkoi dorëheqjen e hartuesit, mëkatarët u bashkuan “grusht” rreth humbësit. Dhe, meqë shkak qe humbja e zgjedhjeve, këto u shpallën befas të manipuluara. Për rrjedhojë, parlamenti u cilësua ilegjitim. Qeveria u akuzua si pushtet pa mandat sovrani. Kryetarit të P.S.-së i lindi, pra, e drejta të rizgjidhej. Miliarderët u bënë “panciri”, që mbrojti humbësin Rama. Kurse ky liberal hipokrit nxorri nga milli shpatën dhe vuri në rresht repartin e deputetëve, që nuk ishin stërvitur endé të vidhnin. Dhe urdhëroi me ton tirani: “Asnjë përfaqësues socialist në kuvend!”. Duheshin plotësuar “kushtet” e hajdutëve. Më troç se kështu nuk mund të thuhej: “Që ne t’ju njohim pushtetarë, mos na çmoni mëkatarë!” Gjithë socialistët që kundërshtuan bojkotin, u akuzuan si armiq të partisë. Mëkatarët e papenduar nuk e njohin humbjen. Njëlloj si në diktaturë. Ai që guxonte t’i komunikonte “qoftëlargut” një dështim, mund ta paguante dhe me kokë. Dyshimi është “mbreti” fuqiplot i fajtorëve, që s’ka ku t’i zërë qeni. Edhe pasuria e paligjshme qënka e lidhur me shpirtin. Humbja e parasë së pistë nuk qënka më pak e rëndë se ajo e floririt të vënë me djersë. Kurse drejtësia e reformuar është “kuçedra” e pasurive të paligjshme. Bojkotimi i parlamentit po bëhet në emër të mbrojtjes së vullnetit të sovranit, me qëllim që kështu të ligjërojë vjedhjen e tij të pamëshirshme. Fajtorë duhet të shpallen vetëm ata që nuk plotësojnë kushtet e bojkotit. Fitimtarët. Të ndershmit. Ata që nuk bëjnë kompromis me krimin. Dhe, meqë “kushtet” e bojkotit janë absurde, të pamotivuara, të kundraligjshme, destabilizuese, iu dashka mazhorancës, sipas hajdutëve socialistë, të ulet e të pranojë diktatin bllofist të opozitës. Na paska ardhur një kohë, kur virtytit iu dashka t’i përulet vesit. Por, jo! Edhe bota demokratike e ka kuptuar hilénë e këtyre deputetëve miliarderë, të cilët edhe pasurimin e vet e shohin si një mundësi hakmarrjeje ndaj demokracisë. Prandaj personalitete të larta të demokracive të konsoliduara deklarojnë se bojkoti nuk e cënon imazhin e mazhorancës fituese, por atë të opozitës. “Perënditë” e rrëzuar nga Olimpi nuk iu ndakan këtij populli, që me vullnet të lirë kërkoi dhe vuri në krye ata, që besoi se do t’ia ndryshojnë ( siç ia kanë ndryshuar !) jetën. Mëkati i akuzuar paska aftësí të çuditshme për të mprehur dinakërínë. Kjo e fundit gjetka rrugë të pashkelura për të fshehur ligësitë e saj. I duhet demokracisë të kualifikojë drejtësinë për të zbuluar këmbët e gjarpërit. Miliarderët socialistë, që kanë hipur në qibër, nuk e kuptojnë se e keqja e ka brenda saj “tharmin” e vetëshkatërrimit. Sikur kjo të mos ishte e vërtetë, bota do të qe shkatërruar me kohë. Qëllimin e keq të bojkotit e kanë kuptuar edhe socialistët e ndershëm. Sado të pasur të jenë, miliarderët nuk e blejnë dot të kaluarën e tyre. Prandaj dhe po mendohen si ai kali qorr. Paraja e tyre e pistë, duke qarkulluar fshehurazi, do t’u kthehet në një bumerang. Se, edhe tek hallalli- thonë - ka pak harám. Prandaj ka lindur nevoja e bamirësisë. Por mëkatarët socialistë këto virtyte nuk i njohin. Përkundrazi! Ata nuk e shijojnë dot pasurinë e tyre, po nuk u ndodhën nën rënkimet e viktimave të uritura. Prandaj Rama me skotën e tij janë të mallkuar nga vetë vepra e tyre. Prandaj edhe bojkoti i tyre do të dështojë me turp. Prandaj socialistët po shpërndahen si zogjtë e korbit. Megjithatë, fajtori tenton ta shtyjë sa më shumë fundin e tij fatal. Mëkati nuk mbijeton dot pa alibíra. Edhe pas dështimit të këtij “bllofi” të turpshëm, të tjerë bojkote e bllokime e presin demokracinë prej hajdutëve miliarderë. Të tjera “gracka” do t’i ngrejnë ata aspiratës së këtij sovrani të vuajtur. Të tjera shpifje dhe intriga do t’i kurdisin ata ndershmërisë shqiptare për ta bërë ortake në krimet e tyre. Sepse vetëm kështu mendojnë të zhdukin rrezikun e ndëshkimit të tyre për zullumet që kanë bërë. Shekspiri ka këshilluar të mos humbet nderi, pjesa më e pavdekshme e jetës së njeriut. Po a skuqen, vallë, ata që e kanë ngrënë turpin me bukë?!... Mirëpo sovrani, që votoi paqësisht, nuk ka për t’ua falur këtë bojkot të padrejtë, që u ngjan aq shumë akuzave të paqena të mizorísë së djeshme komuniste ndaj pafajsisë shqiptare!...
...