E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/E mbyllëm edhe sivjet me detin, shihemi verën tjetër...

Nuk ka më det,ndërsa resortet  turistike  duan të mbyllin dyert. Nuk ka magjepsje vërtetë. Sepse deti tash e tutje vetëm zhurmon. Vetëm disa cekë tek “Rexhina” si të jenë çmendur. Lahen e pllaquriten në det. Nuk kanë ftohtë, ngase nga viset e ftohta, që vijnë kjo klimë u duket mrekulli. Si ka mundur, që ky hotel të sjell për çdo javë turistë vetëm cek? Si kanë mundur ta kapin atë  pjesë e cila është me moshe relativisht e madhe? Dhe ndërkaq nëpërmjet guidave turistike ua bënë më atraktive pushimet. Nuk e di pse ky resort nuk është i ftuar në takimet e shoqatës së turistëve shqiptarë. Më bëri përshtypje fakti më i çuditshëm. Në ndërtimet kaotike të bëra në vitin 2000, Radhima, aktualisht gllabëron “elitën e pushuesve”, pra ata që zbresin në Vlorë dhe duan të akomodohen, që duan plazhe privat, det te thellë e të pastër dhe parti, muzike e jetë nate. Por Radhima ka mungesë telefonie. Nuk ka internet. Vetëm tek “Velerie”, porti i jahteve në Orikum komoditeti është europian. Radhima ka një numër diskosh, që kanë bërë vërtet jetë nate gjatë gjithë verës. Që nga Majoito, London deri tek diskoja e re në rrugën e Pashalimanit. Dje kjo e fundit mblodhi rraqet. D.m.th aty priste në udhë një maune, që ngarkonte aparaturat digjitale, kushtojnë mijëra euro. Janë mbyllur krejt çadrat dhe plazhet e Radhimës pasqyrojnë ftohtësinë e vjeshtës. Brenda ka njerëz, thonë tek Mezurajt, por hoteli “Krela” është frekuentuar nga zviceranët, për një muaj. Janë 2 furgonë të ardhur nga Universiteti i Gjenevës, 12 studentë e pedagogë. Hotele me 3 yje. Labëria ka të shpalosur traditën e vet, mish të pjekur në bregdet. Një kamerier i saj i veshur me uniformën e vendasve, kostum kombëtar ta quajmë - qendron përpara portës hyrëse. Makina me targa tirane kanë ende pushime në bregdet. Por gjithmonë udhëkalimi është më i lehtësuar. Pasqyrohet në automobilat e rrallë që lëvizin dhe fadromat që po punojnë ethshëm. E kanë kyçur një sezon. Paçka se jo përfundimisht. Por bëhen gati për tjetrin. Duken të përgjumur, ndërsa ne kërkojmë kafenë e mëngjesit.

Fitimi, sivjet më shumë se kurrë/Pati pushues, këtë verë? Fakti që të bën të besosh se ishte trafiku i jashtëzakonshëm mbetet fakti se mijëra makina me targa të huaja lëvizin çdo sekondë drejt udhëve të bregdetit. Kuptohet që shkonin për pushime, ose që ktheheshin prej tyre. E gjithë Tirana kishte zbarkuar në Orikum. Në këtë qytet të vogël turistik nuk gjeje një çadër të lirë në plazhet e Pashalimanit. Maqedonasit ishin sistemuar në Radhimë dhe në plazhet e Vlorës. Italianë, gjermanë, çekë, në Radhimë. Përse vijnë këtu kur ka bregdet në shtetin fqinj? Duhen pyetur vetë ata. Sivjet bregdeti ka qenë stivë nga pushuesit. Ç’rëndësi ka nëse janë të huaj apo emigrantë, njësoj i paguajnë shpenzimet e plazhit. Fitimi - më thotë në bisedë një pronar - ka qenë tejmase i madh. Dyfishi i atij të vjetshmit. Vjet u prish moti në mes gushti dhe pushuesit rrëmbyen plaçkat. Sivjet nuk gjeje peshk në pika shitjeje, e madje as rezervati, i cili nga 500 leke i shkoi çmimi në 650 leke. Nuk gjeje një dhomë të lirë në Orikum, sepse gjithshka ishte prenotuar deri në fund të gushtit. Paçka se flitet për krizë. Krizë nuk kishte në restorante, hotele a shtepi pushimi në jug të vendit. Aty paraja është derdhur më shumë dhe me tepricë. Si sivjet nuk ka qenë ndonjëherë fitimi.

Alternativat, që japin nga kryeqyteti analistët e gazetave, më duken varfanjake. Nëse keni zbritur pikërisht në jug do të keni mbetur të mahnitur. Për këtë më kujtohet një shkrim i Kadaresë për Sarandën. Në dimër një fshat dhe në verë dhjetëfishohet. Çdo qendër, katund i kësaj zone, ka qenë sivjet i dhjetëfishuar në banorë. Madje nuk ka munguar as luksi. Vetëm për koncertin e Dj Tiesto, bileta ishte sa një natë hoteli e megjithatë fansat për dy orë - rreth 6 mijë të tillë - pranuan t’i harxhonin kursimet në Dhërmi. Diskot në Radhimë dhe Pashaliman ndizeshin në mesnatë duke pushuar në mëngjes, kur shkonin në det. Sivjet siguria ishte e madhe. Asnjë incident nuk pati, ndonëse, ishte edhe kohë fushate elektorale.

Mua më duket se sivjet turizmi kapi përmasa më të mëdha. Rruga e bregdetit si vaj, shpuri më shpejt njerëzinë për pushime në jug. Sivjet kosovarët udhëtuan më mirë, për të mbërritur në zonat turistike. Kështu nga kjo verë mbyllet një kapitull. Kur po mblidhnin rraqet, ca pushues na thanë çuditerisht: Lamtumirë det! Kthyem shikimet. Shihemi verën tjetër! U hipën fuoristradave. Pas mbeti vetëm një mjegullimë gri. Deti mbeti aty.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›