Dara shtrënguese 28-28
Darët politike nuk nxjerrin gozhdë, ato shtrëngojnë për largim të domosdoshëm nga politika. Për kryetarin në detyrë të Partisë Socialiste, numra të mallkuar qëlluan të jenë dyshja 28-28, nofulla të darës, që shtrëngon padurueshëm, ndërsa ai përpiqet t’i shpëtoi “fuqisë shkulëse” të tyre. Neni 28 i statutit të partisë është tejet i qartë: kur humben zgjedhjet, kryetarit i ndërpritet mandati. Numri tjetër është 28 qershori, dita kur Rama i humbi zgjedhjet. Të dy 28-tat, në përkim njëjtësues e bashkëveprues, përcjellin vetëm një kumt: Rama, e tha vet se, me dorën e tij ka shkruar që, mandanti i kryetarit ndërpritet nëse humben zgjedhjet, prandaj duhej të kishte hapur krahun menjëherë. Zgjedhësit, me votën e duarve të tyre, nënshkruan humbjen e Ramës, prandaj ai duhej të përmbushte ligjin partiak.
Paszgjdhjet dhanë këtë pamje: Maturi e qetësi të admirueshme brenda koalicionit të djathtë, i cili nuk luajti triumfatorin politik të zhurmshëm, por shpreh seriozitet për marrje të të gjitha përgjegjësive të një qeverisjeje të qendrueshme e përmbushje të kryedetyrës në integrimin e vendit në BE. Por humbja shërbeu si ndërhyrje kirurgjikale e thellë, për mosfshehjen e krizës dramatike brenda Partisë Socialiste, çka është si vërtetim i rezultatit të zgjedhjeve dhe se kjo forcë politike nuk ishte e përgatitur për pushtet. Nëse ajo do të kishte marrë pushtetin, shteti do të provonte eksperimentin e një njeriu që për program pati Gjithëpushtetin, ndërsa kriza e partisë do të transplantohej edhe si krizë e vendit.
Kushdo që e ka ideuar pikën e katërt të nenet 28 të statutit, për ndërprerjen e mandatit kur humben zgjedhjet, nuk mbetet autor përderisa kryetari i partisë mori publikisht autorësinë e padiskutueshme. Pse u fut ai nen detyrues, që fare mirë mund të mos përfshihej, pa e cenuar demokracinë e brendshme të partisë? Eshtë e sigurtë që ai nuk ka buruar nga “Dialog me Shqipërinë”, as nga “Politika e re”, as nga “Përtej së majtës dhe së djathtës” dhe as nga rekomandimet voluminoze që ish-presidenti Rexhep Mediani i pati dorëzuar Edi Ramës, para kamerave dhe si mbështetje elektorale, në emër të një grupi intelektualësh.. Neni 28, si ide e lindur nga brenda apo si kopjim i statuteve të huaja, të jetë ndërmarrë për të shprehur demokracinë në parti? Ashtu dukej atëherë, por u pa se qe shtysë e megallomanisë për fitore, një shpërfillje e plotë e tërë faktorëve, përveç synimit për Gjithëpushtet. Po të arrihej fitorja, neni 28 nuk do të shndërrohej në njërën anë të darës së sotme. Ai do të valëvitej si flamur kuraje e kryetarit dhe domethënie e politikës së re. Humbja shpërfaqi hipokrizinë e futjes së atij neni, ndërsa zhbërja praktikisht e tij me pengim të fuqisë vepruese, e ngjiti krizën e partisë në kulm: në një krah janë titullarët e “Lëvizjes të Mendimit Ndryshe”, që i drejtohen anëtarësisë për largimin e Ramës, në krahun tjetër shfaqet estradë gare për moslargimin e Ramën . E gjithë kjo nuk është “Dialog me Shqipërinë”, por “Vërdallisje politike” e partisë nëpër Shqipëri.
Humbja më 28 qershor është nofulla tjetër e darës, e cila ka fuqi shtrënguese të disafishtë: rezultati i Komisoni Qendror të Zgjedhjeve me votim njëzëri të tij; e drejta ligjore e koalicionit të djathtë dhe LSI për qeverisjen e vendit; vlerësimi ndërkombëtar i zgjedhjeve; qetësia qytetare në vend; shpresa për hapa domethënës për më shumë mirëqënie e shpejtësi të re drejt bashkimit me Europën. Përballë gjithë këtyre faktorëve vendimtarë, paraqitet vetëm një mundësi sfiduese: Rama të ribëhet kryetar i partisë, më 26 shtator, duke e anashkaluar nenin 28 dhe duke mos e pranuar rezultatin e 28 qershorit. Por, edhe asisoj, ai nuk i shpëton dot shtrëngimit 28 - 28, domethënë ndëshkimit statutor të partisë dhe ndëshkimit zgjedhor të votuesve. Pjesa partiake e mendimit ndryshe, mbetet edhe më kundërshtare, nga që data 26 e zgjedhjes së mundshme të Ramës kryetar, do të cilësohet një ditë e keqe në historinë e saj, ata do ta quajnë Ramën kryetar në kundërshtim me statutin e do t’i kundërvihen edhe si i tillë. Me këtë përplasje të fortë të brendshme, që ka marrë të gjitha karakteristikat e përçarjes së madhe, do të dështojë bojkoti i Parlamentit, do të dështojë organizimi dhe mbajtja e tendosur e protestave, do të dështojë shndërrimi i tyre në forma të dhunshme, do të dështojë bashkimi i partisë dhe, të gjitha këto do të gjejnë shprehje në humbjen e zgjedhjeve vendore. Kësisoj do të vulosej largimi i vonuar i Ramës nga drejtimi i partisë. Deri atëherë, dëmi i kryer nuk do të jetë i paktë për partinë, deputetët e së cilës nuk kanë zënë ndejtëset në Kuvend, por përjetojnë “ngujimin e Partisë në lulishten e selisë”. Me gjasa, e vetmja fitore e socialistëve, që pritet nga humbja e zgjedhjeve, do të jetë lufta ndërmjet pikëpamjeve të kundërta për demokratizimin e Partisë dhe shmangia e strategjisë së kryetarit për Gjithëpushtet.
...