E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja rrënjët e shpirtit konfliktual të neobllokmenëve

14-04-2011 / Nga Luan Myftiu

“Guxími i pavend është një nga llojet e frikës” - Senéka

Mëkatari i papenduar urren viktimën për të “justifikuar” ligësínë e vet. Frikacakët e përkëdhelur janë mizorë. Rama me neobllokmenët e shohin si armike mazhorancën. Ashtu si diktatura, që sajonte sebépe për të forcuar luftën e klasave, neobllokmenët shpikin ngërçe dhe “kriza” të paqëna, që të “justifikojnë” “rebelimet” e tyre. Kush u mësua t’i trajtojë njerëzit si skllevër, e ka të vështirë t’i pranojë ata si njerëz të lirë. Diktatura stimuloi instinktet e egra të njeriut kurse neobllokmenët sajojnë konflikte militantësh për të fituar me çdo kusht në 8 Maj. Ata që prej diktaturës u ndien Perëndi, nuk çlirohen nga megalomanía. Kur u përmbys tirania, xhelatët u ndien si minj të lagur. Frika e ndëshkimit ishte më mundonjëse se vetë ndëshkimi. Harbuti nuk e çmon fisnikërínë e tolerancës. Neobllokmenët nuk ushqejnë mirënjohje për viktimat e diktaturës, sepse në vuajtjet e viktimave shohin fytyrën e gjakosur të lavdisë së tyre mizore. Të pandëshkuar, të llastuarit e terrorit hakmerren për humbjen e të drejtës për të nëpërkëmbur. Tërë jetën bllokmenët u tallën me lirínë, pronën dhe jetën e njeriut. Votimi ka mbetur për ta hipokrizia e tyre tallëse ndaj të drejtës së njeriut për të vendosur mbi fatin e vet. Dhe janë pikërisht këta kasapë të lirísë, që duke çmuar vlerën e vjedhjes së votës, po shfaqen si avokatë të shenjtërimit të saj. Dhe nuk po njohin tjetër autoritet veç të drejtës së tyre të hershme për të akuzuar duke shpifur ndaj kujtdo, që i pengon të sundojnë pa kundërshtarë. Lufta e tyre e klasave ka qënë sanksionimi i padrejtësísë së ngritur në sistem dhe “justifikimi” i krimit, me të cilin asgjësuan çdo të drejtë të individit. E tërë shoqëría në diktaturë ishte në konflikt permanent. Diktatori tmerrohej nga çdo lloj harmonie njerëzore. Qetësía vetëm e shqetësonte. Ndoshta prandaj porosiste të ngriheshin  furtuna edhe brenda familjeve dhe të futej në luftë individi me veten. “Të gjithë kundër të gjithëve!” ishte deviza e filozofísë kriminale të atij sistemi, që mbijetoi duke sajuar armiq imagjinarë. Prandaj Rama me bllokmenët kanë ngritur në sistem shpifjen dhe asgjësímin moral të kundërshtarit politik. Në një shoqërí, ku të gjithë duhej të ndiheshin të kërcënuar, vetiu kultivohej shpirti konfliktual. Frika e tiranit nga rreziqe imagjinare ishte një sëmundje, nga e cila nuk kish si të mos infektohej gjithë shoqëría. Diktatorët çlirohen nga makthet e krimeve, vetëm kur populli të jetë i pasigurtë për të nesërmen, kur ky të ndihet i kërcënuar e të ketë frikë edhe nga këmisha që ka veshur. Tirani qetësohej, vetëm kur qytetarët të kishin flakur tej çdo ndjenjë mëshire dhe dashurie njerëzore. Urrejtja pa arsye ishte alfa e formimit “revolucionar” të bijve të përkëdhelur të diktaturës. Kurse njerëzit duhej të synonin, jo si të ishin më mirë, por si të shpëtonin për të mos qënë më keq. Dhe vetëm ata që ia kishin shitur shpirtin diktaturës, mund të ndiheshin të sigurtë. Madje dhe “ajka” e aristokracisë së krimit kish raste që duhej të paguante haraçin e “garancísë”, duke denoncuar nënën, babanë, djalin, vajzën dhe veten e vet. E, prapë askush nuk shpëtonte nga konflikti me të tjerët, për sa kohë diktaturës i duheshin “armiq imagjinarë”. Vetëm me ta diktatura “justifikonte” thellimin e pandërprerë të terrorit. Me ta shtypte pakënaqësítë e atyre, tek të cilët mund të regëtinte një fije ndjenje njerëzore.  
Filozofía e urrejtjes kultivoi komplekset e frikës, të servilizmit, të fajësisë, të mungesës së dinjitetit, të deformimit të personalitetit të kolektivizuar. A nuk pa Shqipëría grupin parlamentar të P.S.-së, që nuk merrte as frymë pa urdhërin e “Njëshit”?! Duket që nuk është shuar jehona e adhurímit të tiranit, që ngrihej mbi malin e kufomave të njerëzve të pafajshëm. Jo pa qëllim diktatori kërkonte të bëheshin mundësisht të gjithë shqiptarët bashkëfajtorë. Vetëm mbi malin e kësaj fajësíe kolektive ai mund ta ndiente veten të lehtësuar nga makthet e krimeve. Ndërkohë forcimi i pandërprerë i luftës së klasave kërkonte viktima. Spiunimi u shndërrua në sizmografin e ndjeshëm të atij sistemi, që dyshimin e kishte lëngatën e vet kryesore. Me spiunimin diktatura maste rrezikun e zbutjen së luftës së klasave. Se tiranitë nuk duan njerëz të mirë, por “revolucionarë” pa ndjenja njerëzore. Ideali i tyre ka qënë krijimi i njeriut të rí, d.m.th. qytetari pa ndjenja dhimbsurie, pa mëshirë e pa keqardhje. Prandaj neobllokmenët janë të pacipë në sharje dhe bisha në shpifjet e tyre monstruoze !  Për sigurínë e “parajsës” të gjithë duhej të ndiheshin fajtorë. Kështu u krijua ajo klimë e tmerrshme mosbesimi, ai dyshím frikëndjellës dhe ajo armiqësí e pajustifikuar ! Kështu shoqëria u detyrua të pajtohej edhe me dënimin e pafajshëm, që u zinte pusi të gjithë shqiptarëve të ndershëm.
Gjithë kohën diktatura kultivoi konfliktin artificial shoqëror. Inercia e atij konflikti shfaqet sot në vlerësímin e kundërshtarin politik si një armik i vërtetë. Ata që u mësuan të përbuzin pa të drejtë, të urrenin pa arsye e të nëpërkëmbnin pa shkak, nuk mund të pajtohen sot as me paqen sociale, as me tolerancën. Dhe aq më pak me barazinë e të gjithëve para ligjit. Janë këta që nuk pranojnë rrotacionin politik. Këta ithtarët të partisë-shtet janë  “mamuthët” e krimit, që tmerrohen edhe nga ideja se dikush brenda tyre mund të mendojë ndryshe. Prandaj bëhen pengesë për t’u anëtarësuar Shqipëría në Europën humanitare. Mirpo, meqë xhelatët nuk mund të mburren me shpirtin konfliktual, s’e kanë për turp, kur nënçmohen nga mendjet e ndritura të njerëzimit. Ja si shprehet për ta njëri prej tyre: “Tipari kryesor i një personaliteti nuk është rebelími, por shpirti paqësor!”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›