“Tirana, qendra më e madhe universitare në vend, do të ketë vizion tjetër për universitetet dhe studentët”

Mbështetja ndaj universiteteve, drejtuesit vlerësojnë vizionin realist të kandidatit Lulzim Basha për bashkëpunimin “pushtet vendor-universitete”
Qyteti i Tiranës, qendra më e madhe universitare në vend, duhet të ketë një vizion tjetër për zhvillimin e universiteteve dhe mbështetjen e studentëve. Drejtuesit e universiteteve në takimin e dytë të forumit “Iniciativa për Tiranën”, e cilësuan të domosdoshme bashkëpunimin mes qeverisë vendore dhe universiteteve.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, duke vlerësuar në këtë drejtim vizionin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha se “është hera e parë që në fushata zgjedhore përmendet mbështetja e universiteteve”.
Ai pohoi se programi elektoral i Bashës i përgjigjet nevojave të institucioneve të arsimit të lartë dhe studentëve. Kule përshëndeti premtimin për ndërtimin e kampuseve universitare. “Sistemimi në formën e kampuseve të universiteteve të Tiranës, do të krijojë strukturën dhe pamjet e kampusit universitar modern dhe europian, të cilin e kanë sot të gjithë qytetet e Europës”, tha Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kacani.
Ai vlerësoi vizionin e Bashës për planin urbanistik të Tiranës.
“Për realizimin e këtij plani Universiteti Politeknik vë në dispozicion potencialin për të zgjidhur problemet teknike”, tha Kacani.
Prof. Dr. Valentina Duka, drejtuese e departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës, njohëse e mirë e historisë së kryeqytetit, gjykoi se kryetari i ardhshëm i bashkisë së kryeqytetit, që do të zgjidhet më 8 maj, “duhet ta konsiderojë dhe vlerësojë më shumë mendimin intelektual, sidomos atë akademik të qytetit”.
Ajo sugjeroi që pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës të krijohet dhe funksionojë një organ këshillimor i përbërë nga figura të shquara të qytetit, që të shërbejnë si një gjenerator idesh për politikat e qeverisë vendore, me qëllim që ato të jenë sa më afër qytetarit.
“Tirana duhet të ketë një angazhim për zhvillimin dhe mbështetjen e universiteteve. Për këtë Bashkia e Tiranës duhet të nënshkruajë një marrëveshje dobiprurëse”, tha Duka, duke argumentuar se ky bashkëpunim do të ndihmojë bashkinë në nivel ekspertesh dhe do t’i ofrojë punë vullnetare studentëve.
Lulzim Basha, kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, e ka quajtur Tiranën “qytetin e 100 mijë studentëve”, pasi 10-15 për qind e popullatës në kryeqytet jenë studentë. Kandidati i Aleancës për Qytetarin ka shpallur para studentëve premtimin e ndërtimit të Kampusit të ri të Universitetit të Tiranës, Kampusit të Universitetit Politeknik dhe Bibliotekës Universitare të Tiranës që do të strukturohet në hapësirën mes dy krahëve të korpusit qendror të Universitetit Politeknik.