E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si duket Shqipëria në periudhë tranzicioni të pushtetit

rama berishaNga Adelheid Woelfl

Der Standard

Gushti është koha kur shqiptarët martohen. Mund ta dallosh një gjë të tillë nga boritë e zhurmshme të makinave. Por edhe nga rritja e shitjeve të frigoriferëve.

Por ky gusht është edhe periudha e ndryshimit të qeverive. Qeveria e vjetër është akoma në detyrë dhe po përpiqet shpejt e shpejt të lërë ca gjurmë, njerëzit e saj po ankorohen në administratë, ndërsa janë shtuar lejet për koncesione. Ky është aksioni i fundit i Sali Berishës, kryeministër në largim, por edhe i dorëhequr nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, që tani drejtohet nga Lulzim Basha.

Berisha e ka të vështirë largimin nga pushteti, që e humbi me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Vëzhguesit politikë, si shkrimtari Fatos Lubonja, mendojnë se Basha nuk do mund të dalë nga hija e Berishës.

Ashtu siç kishte premtuar në 100 vjetorin e Pavarësisë, Berisha do të japë nënshtetësinë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë, me përjashtim të Kosovës. Por së pari ligji nuk është miratuar nga Kuvendi dhe së dyti, qeveria e re, që merr detyrën në mes të shtatorit, është kundër. Edhe pas betejës zgjedhore, në Shqipëri vazhdon lufta.

Edhe të tjera gjëra nuk do ndryshojnë pavarësisht qeverisë së re. Disa ministra të LSI-së, që ka qenë më parë në koalicion me Berishën, do mbeten në pushtet. Dhe shefi i LSI-së, Ilir Meta, që konsiderohet si një politikanët më të korruptuar në vend, do vazhdojë të jetë kurorëzuesi i pushtetit. Meta ka marrë dikasteret ku vërshon paraja, siç është Transporti, analizon Lubonja. Pa njerëzit e Metës, kryeministri Rama nuk do kishte shumicën në parlament.

Rama është nën kontrollin e Metës. Por me Metën, ai nuk mund të bëjë ndryshime radikale në fushën e drejtësisë dhe të luftës ndaj korrupsionit, thotë Lubonja.

Por pikërisht kjo kërkohet nga BE. Në dhjetor Shqipëria mund të marrë statusin e kandidatit për në BE. Rama nuk duket shumë entuziast, mendon Lubonja. Shefi i socialistëve, që në fushatën zgjedhore premtoi 300 mijë vende të reja pune, do i gjejë arkat e shtetit bosh. Së pari ai do bëjë një bilanc të situatës. Për këtë arsye kërkon që të punësojë ekspertë të huaj.

Më pak zëra kritikë

Në total, Lubonja thotë se në kabinetin e Ramës ka pak personalitete kritike ose të pavarura. Ka pasur tre ose katër, që kanë qenë kritikë, por janë flakur, tregon ai.

Se çfarë ndodh me ata që janë kritikë, e ka provuar së fundmi vetë Lubonja.

Personi, që gjatë periudhës së komunizmit ishte në qeli, shkroi së fundmi një artikull duke kritikuar hipokrizinë e elitave politike e kulturore në Shqipëri sa i përket ideologjisë nacionaliste. Lubonja dënoi sidomos hyjnizimin e politikanit kosovar dhe ish- komandantit të luftës, Ramush Haradinaj, që është shpallur i pafajshëm nga Haga. Një zëdhënës i partisë së Haradinajt, AAK, e quajti Lubonjën bir bushtre. Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, tha se Lubonja është një serb që flet shqip. Në Facebook, Lubonja mori madje kërcënime me vdekje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›