Ja si qeveria shqiptare shpërdoron miliona për lobim në SHBA
Politikanët shqiptarë shpenzojnë shuma të mëdha çdo vit për të lobuar në SHBA, duke tentuar të bëjnë përshtypje tek votuesit shqiptarë me aksesin që kanë, por çfarë arrijnë ata dhe nga vijnë paratë?
Nga Besar Likmeta
BIRN
Balkan Insight ka siguruar të dhëna që tregojnë se partitë shqiptare kanë shpenzuar qindra e mijëra dollarë në vitet e fundit për firmat e lobimit në Uashington, për të siguruar akses tek zyrtarët e lartë amerikanë dhe mbulim nga mediat ndërkombëtare.
Është e paqartë se çfarë kanë sjellë këto lobime kaq të shtrenjta për një nga vendet më të varfra në Europë, ndërkohë që burimet e financimit për shpenzimet mbeten të errëta.
Të dhënat, të siguruara nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, tregojnë se disa nga firmat e lobimit më me ndikim në Uashington kanë punuar pa u lodhur për të siguruar takime mes liderëve shqiptarë dhe zyrtarëve amerikanë.
Por provat e zbuluara nga Balkan Insight duket se sugjerojnë se të paktën në disa raste shqiptarët nuk përfituan asgjë përveç mundësisë për një foto.
Por në Shqipërinë pro- amerikanë, megjithatë këto takime të thjeshta, ku vetëm sa ka shkëmbime kortezie, prezantohen tek opinioni vendas si arritje të mëdha diplomatike.
Udhëtime koti
Kur ish- zëvendëskryeministri Ilir Meta kreu një udhëtim në SHBA në fund të marsit, ai nuk ishte politikani më popullor në Shqipëri.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, partneri i vogël në qeverisje, sapo i kishte mbijetuar një gjyqi për korrupsion në Gjykatën e Lartë, pas publikimit të një videoje sikletosëse të filmuar në fshehtësi.
Shpallja e pafajësisë së Metës më 16 janar 2012 shkaktoi ngritje vetullash në Bruksel ku zyrtarët kishin kohë që i mëshonin nevojës së një vije më të ashpër kundër korrupsionit në Shqipëri, nëse kjo e fundit dëshironte të integrohej në BE. LSI tha se Meta kishte vizituar Uashingtonin për të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe për të zhvilluar takime të nivelit të lartë me anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Një takim që ra në sy ishte ai me kreun e agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, Michele Leonhart.
Në një deklaratë të partisë më 28 mars, thuhej se Leonhart e priti Metën në një takim ku të dy zyrtarët diskutuan marrëdhënien e shkëlqyer ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. LSI tha se Meta kishte një listë të gjatë sugjerimesh për Leonhart se si të forcohej lufta kundër krimit të organizuar në Ballkan, nga hapja e një zyre rajonale të DEA-s në Tiranë, tek rehabilitimi i përdoruesve të drogës dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Megjithatë kur Balkan Insight kontaktoi Departamentin e Drejtësisë në SHBA, ky institucion e mpaku ndjeshëm rëndësinë e takimit. Z.Meta u prezantua me znj.Leonhart dhe aty shkëmbyen shkurt fjalë të përzemërta, por nuk pati një takim të organizuar ku të jetë diskutuar gjësend me substancë, tha Lawrence Payne, zëdhënësi i DEA-s. Çdo sugjerim se ka pasur diçka më shumë se një prezantim i shkurtër është fals, tha ai.
Në një mënyrë të ngjashme, kur kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi SHBA-në në janar, media proqeveritare pretendoi se ai kishte shkuar pas një ftese zyrtare nga kryebashkiaku i Uashingtonit, Vincent Gray. Një zëdhënës i kryebashkiakut amerikan, Dixie McCoy, i tha Balkan Insight se asnjë ftesë e tillë nuk ishte bërë. Një vendas me origjinë shqiptare i kërkoi kryetarit Grey ti pranonte një vizitë kortezie bashkiakut shqiptar dhe z.Grey pranoi duke qenë se shpesh ai kryen takime të tilla me zyrtarë që vijnë për vizitë, shpjegoi ai.
Ashtu si Meta, edhe Basha është një figurë shumë e lakuar në Shqipëri, që ishte zgjedhur kryetar bashkie vetëm disa muaj përpara vizitës në SHBA, përmes një procesi zgjedhor të njollosur nga akuzat për mashtrim dhe parregullsi.
Kryeministri Sali Berisha ishte i fundit i një serie vizitash në SHBA në 24 prill. Berisha u ftua në Amerikë nga shoqata historike shqiptaro- amerikane, Vatra, për 100 vjetorin e saj. Kur mbërriti, Berisha organizoi takime me zyrtarë të nivelit të lartë, duke përfshirë Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton. Megjithatë ishte e dukshme se disa javë përpara udhëtimit të Berishës, qeveria shqiptare i kishte dhënë Vatrës 3.6 imlion lekë, një dhurim për të mbuluar koston e aktiviteteve ku kryeministri do merrte pjesë.
Nga vijnë paratë?
Të gjitha udhëtimet e Metës, Bashës, madje edhe të Berishës, u organizuan nga firmat lobuese që përfaqësojnë zyrtarët shqiptarë. Të dhënat e marra përmes FARA-s dhe të përpiluara nga fondacioni amerikan Sunlight, tregojnë se të gjitha partitë kryesore në Shqipëri, nga demokratët e Berishës tek socialistët opozitarë të Ramës, kanë kontakte të forta me firma lobimi. Ndër to përfshihen Podesta Group, Blue Star Strategies, Dutko International, BKSH &Associates dhe Rasky Baerlein Strategic Communications. Edhe partia relativisht e vogël, Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila përfaqëson minoritetin çam, ka agjentin e saj në Uashington.
Formularët e mbushur nga Foreign Influence Tracker Database tregojnë se shumica e kontakteve të kryera nga agjentët e Partisë Demokratike në pushtet me zyrtarë amerikanë, ishin për të siguruar ftesa për darkë për kryeministrin Sali Berisha dhe spikeren e parlamentit, Jozefina Topalli.
Ndërkaq agjenti i socialistëve, Rasky Baerlain Strategic Communications, ka dërguar dhjetëra kërkesa për mediat ndërkombëtare në 2010-ën në tentativë për të ujdisur intervista ose për të diskutuar krizën politike në Shqipëri.
Çka Shqipëria duket se po bën është përdorimi i njerëzve me akses për të siguruar akses personal me politikbërësit në Uashington, tha Bill Alison, drejtor redaksional i Fondacionit Sunlight.
Këto takime zhvillohen kryesisht në praninë e lobistëve, dhe shumë prej këtyre lobistëve janë kontribuues të vjetër apo sigurues fondesh për anëtarë të Kongresit, ose ish- kolegë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, vërejti Allison.
Ndërsa firmat lobuese faturojnë qindra mijëra për shërbimet e tyre, është e paqartë nga vijnë këto para. Vetëm gjatë viteve 2009-2010, qeveria e Shqipërisë e partitë e saj kryesore shpenzuan 1.38 milion dollarë për lobim në SHBA. Organizatat mbikëqyrëse të shoqërisë civile thonë se do të jetë e vështirë të gjendet burimi i parave duke qenë se financat e partive politike shqiptare nuk janë aspak transparente.
Një studim nga Transparency International, i publikuar në nëntor të vitit 2011, thotë se financimi i partive shqiptare ka një monitorim të dobët, ndërsa boshllëqet ligjore lejojnë derdhjen e dhurimeve të paligjshme. Alison thekson se duke qenë se takimet e organizuara nga lobistët ndodhin pas dyersh të mbyllura, ato nuk janë aspak transparente. Frika është se zyrtarët amerikanë nuk do të flasin hapur sa duhet për