E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja zonat ku s’do të ketë drita në të gjithë vendin

Energjia elektrike do të vazhdojë të mungojë përgjatë orëve të paradites. Shkak për këtë do të jenë remontet e programuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). 

Fabiola Çela

 Sipas OSSH-së, këtë javë është planifikuar të kryhen remonte në nënstacionet e Tiranës, Golemit, Shkodrës etj. Si pasojë e punimeve që do të kryhen në nënstacione, disa zona të këtyre qyteteve do të jenë pa drita gjatë orëve të paradites. Sipas programit të OSSH-së, i cili hartohet në krye të çdo jave, sot do të vazhdojë remonti në nënstacionin e Golemit. Për rrjedhojë do të ketë ndërprerje të energjisë në këtë zonë nga ora 10:00 deri në orën 13:00. Sipas OSSH-së, në këtë nënstacion po punohet për të vendosur çelësin e ri 10 kilovolt dhe 3000 amperë. Ky investim ka për qëllim transmetimin normal të energjisë nga tensioni i lartë nëpër kabina, dhe pastaj te konsumatorët. Ndërkaq remonte do të ketë edhe në Tiranë në nënstacionin 220 kv, i cili do të stakojë linjën që furnizon nënstacionin e uzinës së “Traktorëve”. Me kalimin në remont të këtyre nënstacioneve nuk do të ketë energji elektrike nga ora 09:00 deri në 15:00 në zonën e Kinostudios, uzina e “Traktorëve”, rruga “Ali Demi”, rruga e Elbasanit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria Jashtme. Për Tiranën remonte do të ketë përgjatë gjithë javës, por në nënstacione të tjerë. Mungesa të energjisë si pasojë e remonteve do të ketë edhe në qytetin e Shkodrës. Deri në fund të javës në disa zona të Shkodrës energjia do të mungojë nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në orën 14:00. Sipas drejtuesve të OSSH-së, kryerja e këtyre punimeve në nënstacionet elektrike është e domosdoshme. Remontet janë parashikuar të përfundojë në muajin shtator. Me përfundimin e punimeve pritet të përfundojnë edhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

Privatizimi i OSSH-së në fazën përfundimtare

Privatizimi i OSSH-së tashmë ka hyrë në një fazë përfundimtare. “Katër kompanitë e parakualifikuara kanë filluar procesin e due diligence-s, duke u njohur me të gjithë dokumentacionin teknik dhe financiar të kompanisë, duke vizituar objektet e saj, me qëllim që të përgatisin ofertat e tyre”, kanë deklaruar dje burime zyrtare nga Ministria e Energjetikës. Ofertat e kompanive “EVN” AG, “ENERGIE STEIERMARK” AG, “CEZ” a.s. dhe “ENEL” S.p.A., do të paraqiten në fillim të shtatorit. METE dhe ERE janë duke përgatitur kriteret e vlerësimit të këtyre ofertave. Kompanitë janë parakualifikuar për privatizimin e 51% deri në 76% të aksioneve të OSSH-së. Puna për privatizimin e OSSH-së ka një vit që ka nisur me konsulencën e IFC, me një kuadër të ri ligjor, i cili vendos rregullat e reja në treg të liberalizuar me futjen e një operatori privat në sektorin e shpërndarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›