E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nervi i paralizuar

Skënder Minxhozi 

Grevat e urisë së minatorëve nëpër Shqipëri morën orët e fundit përmasa ekstreme, që kulmuan me shtrirjen masive përtokë të grevistëve në këmbët e Presidencës. Më kot po mundohen minatorët shqiptarë të prekin nervin e paralizuar të atyre, që këtë grevë e shohin vetëm si lajmin e radhës në edicionet informative. Më kot po mundohen ata që me klithmën e tyre të zgjojnë sadopak nga gjumi qeverinë, që drejtohet nga njeriu, të cilit ata, minatorët, i grisën në fytyrë dekoratat e dikurshme të antikomunizmit të zgafelleve të Valiasit. Mesa duket po fiton durimi dhe vetëdija e qeverisë, se kjo grevë do të përthithet si pika e ujit në shkretëtirë, nga indiferenca kolektive e një publiku apatik dhe të lodhur. Çuditërisht jo nga qeveria, por nga vetë grevistët! Pak vlerë ka për sytë e shqiptarëve fakti që, kriza e minierave ka si sfond jo vetëm gjendjen tradicionalisht të vështirë të minatorëve, por edhe rritjen graduale të peshës së këtij sektori ekonomik. Në katër pesë vjetët e fundit koniunktura e çmimeve të mineraleve që nxirren në Shqipëri, kanë njohur një rritje të ndjeshme. Kromi po ha njerëz jo vetëm sepse kushtet në Bulqizë janë katastrofike, por edhe sepse kërkesa për këtë mineral aktualisht është shumë e madhe në tregjet botërore. Ja pra një motiv më tepër, më së pari për qeverinë, por edhe për publikun, për t'i parë me sy tjetër ato që ndodhin sot në atë që dikur quhej 'industria nxjerrëse shqiptare'. E megjithatë asgjë! Gjithçka konsumohet në banalitet dhe harresë.
Problemi i minatorëve është specifik, porse ai ka në një masë të madhe brenda vetes edhe një problem tjetër që nuk është vetëm i këtij sektori të ekonomisë shqiptare. Fjala është më në përgjithësi për raportin e deformuar që ekziston sot tek ne mes krizës si fenomen dhe (pa)aftësisë së shoqërisë shqiptare për të reaguar, për ta refuzuar dhe për ta deklamuar si të tillë me zë të lartë. Një grup njerëzish që kërkojnë kushte pune, nuk përbëjnë asnjë lajm për mjedisin shqiptar. Me indiferentizëm reagojnë edhe mediat, edhe opinioni publik, i etur nga ana tjetër për të lexuar gossipin më të fundit për x këngëtar apo y artist filmi. Nuk përbëjnë lajm as të tjerë njerëz që kërkojnë rritje pagash, që protestojnë për trajtimin e pronarëve apo të eprorëve shtetërorë, ose që, edhe më keq akoma, vdesin galerive duke mbledhur mineral kromi me torbë lecke. Askujt nuk i bën përshtypje që ky vend nuk reagon as përballë papunësisë, as përballë çmimeve apo gangrenave të tjera sociale që gërryejnë Shqipërinë e sotme. Ky vend po provon përditë se nuk ka thuajse asnjë kapacitet për të thënë publikisht fjalën e tij lidhur me sfidat sociale. Duket sikur as çmimet, as vendet e punës dhe as kushtet mizerabël ku punohet dhe jetohet, nuk përbëjnë probleme tonat, por të një shteti në anën tjetër të botës. Këtu mund të vëresh simbiozën më të habitshme në botë, mes varfërisë dhe mungesës së kushteve nga njëra anë dhe qetësisë olimpike me të cilën jetohet ky realitet nga ana tjetër. Për pak për qind lëvizje çmimesh apo çmimi të energjisë, të biletave të autobusëve apo të makaronave, fare pranë nesh mbushen sheshet e qyteteve me mijëra manifestues të zemëruar. Këtu tek ne duhet me patjetër që krahas protestës të ketë edhe një koncert nga pas, që të mund të shpresosh se do të mblidhen njerëz. Kjo hare absurde me të cilën ne përjetojmë prej vitesh gjendjen tonë ekonomike e sociale, përbën ndoshta faktin kryesor, përse-në e madhe të prapambetjes tonë si shtet, por edhe të mungesës së plotë të ndërgjegjes tonë për pozicionin ku ndodhemi. Të gjithë vuajmë, asnjë s'flet. Kjo është status quo-ja shqiptare.
Shoqëria shqiptare duket se ende pas 20 vjetësh nga rënia e komunizmit, nuk po arrin t'i krijojë disa mekanizma që rregullojnë marrëdhëniet në botën e punës. Ajo që në kushte klasike konsiderohet si lëvizje sindikale, këtu tek ne është vetëm një grusht individësh hileqarë, që për njëzet vjet kanë ndarë vetëm pronat e ish-bashkimeve profesionale, pa bërë asgjë për të federuarit e tyre 'fantazmë'. Dhjetëra shtëpi pushimi dhe godina që u menaxhuan nga këto sindikata, janë sot dosje prokurorie plot abuzime dhe shkelje.
Nëse është e saktë të thuhet se tregu i punës është kaotik dhe pa rregulla, është gjithaq e saktë të thuhet se disa qindra mijëra punëmarrës të shpërndarë nëpër mijëra biznese private apo poste të administratës, nuk kanë sot asnjë avokat, asnjë mburojë të tyren, asnjë filtër apo organizim social, përballë padrejtësive, arbitraritetit apo kërkesave që ndjejnë se duhet t'u përmbushen. Qindra largime abuzive nga puna në administratën shtetërore janë kthyer në pothuajse po aq padi civile të punonjësve të larguar, e që përgjithësisht kanë nxjerrë të humbur shtetin. Kjo tregon se në zyrat e shtetit konsumohet përditë, pa dëshmitarë dhe arbitra, një padrejtësi e madhe, e kryer nga vetë shteti në kurriz të njerëzve të tij. Edhe më e rëndë është situata e sektorit privat, ku vendi i punës është gjëja më e pasigurt e mundshme dhe ku kontratat e punonjësve janë një copë lëvere që s'ia hedh sytë askush. Të punosh në të zezë, por edhe të jetosh në të zezë, është një status tashmë 'i arrirë' me të cilin janë pajtuar në heshtje të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›