E Diel, 1 Nëntor 2026

Uldedaj: Udhëzimet e ligjeve të kryhen së bashku me biznesin

Biznesi nuk duhet të informohet i fundit për udhëzimet fiskale që prekin drejtpërsëdrejti atë. Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga komuniteti i biznesit ndaj administratës tatimore, gjatë një takimi të zhvilluar dje. 

 Ligji “Për procedurat tatimore” ishte në qendër të diskutimeve të djeshme. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjok Uldedaj, edhe pse e konsideroi të plotë ligjin e ri, bëri të qartë se “referuar këtij ligji sa i përket udhëzimit që do të dalë në zbatim të tij, do të dëshironim që komuniteti i biznesit të ishte prezent dhe të kontribuonte në hartimin e këtij udhëzimi, për të mos lënë rast për keqinterpretime, referuar atyre praktikave që janë konstatuar në ligjin e mëparshëm”. Sipas tij, synimi i tyre mbetej administrimi i drejtë tatimor për të ulur shkallën e informalitetit, i cili rëndon në radhë të parë mbi biznese të parregullta, informalitet i cili prish rregullat e lojës, prish konkurrencën e tregut. “Ajo çfarë kërkohet nga ne është që të jemi zbatues dhe njëkohësisht të bëjmë oponencën e mosrespektimit të këtij ligji nga organet tatimore, që shpeshherë kanë çuar dhe në konflikte gjyqësore midis biznesit dhe taksambledhësve dhe ku ka rezultuar që në shumicën e rasteve ka qenë biznesi ai që ka fituar këto procese”, tha ai. Drejtuesit e tatimeve sqaruan bizneset për atë çfarë i shqetëson në këtë ligj të ri, duke pranuar nga ana tjetër se tashmë administrata tatimore është në një proces të një sistemi bashkëkohor. Në takim merrnin pjesë nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Hysen Muceku, drejtori i Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë, Jovan Cano, drejtorë të tjerë të drejtorive në DPT, përfaqësues të biznesit etj. Ligji “Për procedurat tatimore” është një ndër draftet, miratimi i së cilës është shoqëruar me debate si nga biznesi ashtu edhe nga opozita, e cila ka kundërshtuar ashpër disa nga nenet e këtij ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›