E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacobson: Korrupsioni, problem në shtetin tim dhe tuajin

Korrupsioni vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore për Kosovën dhe i cili po dëmton imazhin e saj. Kështu që kjo dukuri negative, duhet të luftohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, pasi që kjo nuk është vetëm çështje për zyrtarët qeveritarë.

Kështu u tha të martën, në një konferencë për media organizuar nga Qendra për Studime të Sigurisë, Goerge C. Marshall dhe e mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, për strategjinë e luftimit të korrupsionit.

Qëllimi kryesor i kësaj konference, është që të informohet politika dhe vendimmarrësit për rëndësinë e themelimit të masave integruese në proceset qeveritare të prokurimit.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se lufta e suksesshme kundër korrupsionit, kërkon qasjen e gjithë Qeverisë dhe se kjo është edhe mënyra se si i qasen kësaj dukurie në SHBA. Korrupsioni sipas saj mbetet problem në të gjitha shtetet po ashtu dhe për Kosovën, e cila në rangimin e fundit të Transparency Internacional, është vendi i dytë më i korruptuar në rajon.

“Korrupsioni është problem në çdo shtet. Është problem në shtetin tim, mendoj që është problem dhe në vendin tuaj, posaçërisht në prokurimin publik dhe kontraktim. Kjo është një prej fushave ku ka më së shumti burime për korrupsion. Në rangimin e fundit të Transparency Internacional, sa i përket percepcionit, Kosova është vendi i dytë më i korruptuar në rajon. Unë jam e sigurt se përmes mundësive për bashkëpunim dhe punës suaj të zellshme, mund ta përmirësojmë këtë rangim në vitet e ardhshme. Kjo është dhe arsyeja pse jemi sot këtu”, pohoi Jocobson.

Ajo po ashtu tha se korrupsioni duhet të luftohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, pasi që kjo nuk është një çështje, e cila i takon vetëm zyrtarëve qeveritarë.

“Mendoj që korrupsioni duhet të luftohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse nuk është një çështje vetëm për zyrtarët qeveritarë, por është çështje edhe për shoqërinë. Është një fushë, ku media ka një rol për të luajtur, shoqëria civile ka rol dhe qeveria dhe organet e forcimit te ligjit kanë një rol të madh”, pohoi Jacobson.

Ndërsa Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, tha se është me rëndësi që të luftohet ky fenomen, i cili është me rëndësi për ta ndryshuar imazhin e vendit tonë përballë qytetarëve dhe përball botës demokratike. Ai tha se ata kanë përgjegjësinë kryesore për ta luftuar këtë dukuri negative, por njëkohësisht kanë dhe përgjegjësinë për dështimet, që mund të jenë në këtë drejtim. Kosova sipas tij nuk është e përjashtuar nga dukuria e korrupsionit, i cili vazhdon të mbetet sfidë për vendin.

“Kosova nuk është e përjashtuar nga kjo dukuria e korrupsionit dhe dukurive tjera negative dhe natyrisht kjo paraqet një prej sfidave kryesore të vendit tonë, të cilat dëmtojnë shumë imazhin e institucioneve publike dhe private. Po ashtu duhet të them se na detyron të punojmë shumë bashkërisht, për ta fituar një besim te institucionet publike dhe sistemin në tërësi”, tha ai.

Kuçi po ashtu foli dhe për hapat që Qeveria ka ndërmarrë në luftimin e kësaj dukurie, duke krijuar ligje të veçanta, të cilat pritet të implementohen, e të cilat janë sipas standardeve ndërkombëtare. Ai tha se Kosova, brenda dy viteve të fundit ka marrë disa hapa thelbësorë në fushën legjislative. Kuçi po ashtu theksoi se perceptimi sa i përket Kosovës për korrupsion, duhet të ndikojë që t’i nxitë ata edhe më shumë në luftimin e kësaj dukurie.

Sipas tij, duhet të investohet më shumë dhe në infrastrukturën njerëzore, në mënyrë që të jenë më efektiv në fushën e prokurimit publik. Kuçi po ashtu theksoi se viti 2013 është vit i implementimi të ligjeve dhe përmirësimit të imazhit të Kosovës, në radhe të parë të imazhit të institucioneve publike përballë qytetarëve të vendit dhe imazhit të Kosovës dhe para botës demokratike. Ai po ashtu pohoi se do t’i marrë parasysh rekomandimet e dala nga kjo konferencë, në luftën e kësaj dukurie negative, që është e pranishme në vendin tonë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›