E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa: Ka përafrim qëndrimesh për reformën zgjedhore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se do të ketë marrëveshje për reformën zgjedhore. Pavarësisht deklarimeve se ka divergjenca në mes partive politike në këtë drejtim, ai thotë se në diskutimet e brendshme ka përafrim të partive në qëndrime. Mustafa ka thënë se nuk kanë presion ndërkombëtar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, duke e komentuar takimin e djeshëm në mes të partive më të mëdha politike në vend lidhur me arritjen e marrëveshjes për reformë zgjedhore dhe kapërcimin e këtij ngërçi, ka thënë se, pavarësisht se në deklarata është parë se ka dallime të mëdha në mes partive politike në vend, në diskutimet e brendshme ai thotë se janë vërejtur përafrim qëndrimesh në mes partive politike të përfshira në këtë proces.

“Unë mund t’ju them se, edhe përkundër asaj se në deklarata është parë se ka divergjenca, në diskutimet e brendshme janë vërejtur se janë bërë hapa të rëndësishëm kah përafrimi i subjekteve politike, por nuk mund të presim se me një takim ose me dy takime mund të zgjidhen të gjitha ato çështje”, ka thënë ai.

I pyetur se nëse nuk do të ketë marrëveshje në këtë drejtim, a po hyn Kosova në krizë institucionale, Mustafa është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje, duke shtuar se nuk do të ketë krizë institucionale.

“Do të ketë marrëveshje, nuk hyn fare, unë mendoj se do të ketë, sepse unë mendoj se është një përgjegjësi e të gjithëve”, ka thënë ai.

I pyetur nga Kosovapress se a ka presion LDK-ja nga ndërkombëtarët që të lëshojë pe dhe të arrijë marrëveshje për reformën zgjedhore, Mustafa ka thënë se askush nuk ka presion këtë çështje, duke shtuar se ndërkombëtarët thonë se kjo është çështje e brendshme politike në vend dhe zgjidhja duhet të vijë nga brenda.

“Jo nuk ka kurrkush presion. Vërtet ndërkombëtarët janë shumë parimorë në këtë rast, sepse ata thonë që kjo është çështje e juaja e brendshme dhe ju duhet të gjeni zgjidhje e cila juve ju përgjigjet më së miri. Ata nuk na japin tash zgjidhje ose instruksione se çfarë është më e mirë për neve dhe për Kosovën, por thonë urdhëroi gjejeni zgjidhjen e cila juve ju përgjigjet dhe për të cilën ju bëni marrëveshje”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›