E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacobson, përuron shëtitoren e qytetit

Shefja e diplomacisë të SHBA-ve në Prishtinë, ambasadorja Tracey Ann Jacobson të enjten gjatë tërë ditës ka qëndruar në qytetin e Vushtrrisë, ku përpos takimit me kryetarin e komunës Bajram Mulaku ajo ka vizituar edhe monumentet e kulturës, pastaj Akademinë e Kosovës për siguri si dhe disa kompani prodhuese si Vipa çips si dhe fabrikën e Llamarinës.

Ambasadorja Jacobson dhe Mulaku kanë përuruar shëtitoren e qytetit në breg të lumit Sitnicë e cila është bërë me investime të përbashkëta të programit USAID Demi dhe komunës.

Duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve të Vushtrrisë për investimet që janë bërë nga Ambasada e SHBA-ve dhe USAID-i në Vushtrri, kryetari i komunës Bajram Mulaku tha se Vushtrria ka implementuar shumë projekte me miqtë amerikan.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer mes komunës e USAID-it programi DEMI ka rezultuar edhe në realizim të shumë projekteve investive në bashkëfinancim. Vlera e këtyre investimeve të përbashkëta kap shifrën prej 325 491 dollarë nga të cilat 249.982 dollarë janë nga USAID, programi DEMI”, ka thënë Mulaku.

Ai po ashtu është shprehur shumë mirënjohës popullit dhe qeverisë së SHBA-ve të cilat përmes ambasadës në Prishtinë në renovimin e Kalasë dhe Hamamit të qytetit kanë ndarë rreth 680 mijë euro.

Ndërkaq ambasadorja Jacobson ka shprehur përkushtimin e SHBA-ve për të mbështetur edhe më tej komunën e Vushtrrisë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarë po edhe në investime që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve. “Do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Vushtrrinë, për këtë qytet të lashtë”, ka thënë ambasadorja e SHBA-ve me rastin e përurimit të shëtitores.

Gjatë vizitës që kanë bërë në monumentet e trashëgimisë materiale në Kala dhe Hamamin e qytetit, përveç me kryetarin e komunës Bajram Mulaku, ambasadorja Jacobson është shoqëruar edhe nga ministri i kulturës Memli Kransniqi.
Ministri i kulturës ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, derisa ka shprehur kënaqësinë që ambasada e SHBA-ve në bashkëpunim me komunën kanë arritur të fillojnë restaurimin e këtyre dy objekteve të trashëgimisë kulturore.

Gjatë qëndrimit në Vushtrri, ambasadorja e SHBA-ve ka vizituar edhe shkollën e mesme të ultë në qendër të qytetit ku përmes USAID-it dhe Qeverisë së Kosovës, programi për arsim themelor ka pajisur Qendrën për ngritje profesionale, gjegjësishtë klasën e shekullit 21. Pastaj ka vizituar Akademinë e Kosovës për siguri publike, fabrikën e Llamarinës si dhe kompaninë Pestova -Vipa çips. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›