Panariti: Beogradi të heqë dorë nga kërcënimet

(E plotësuar) Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Panariti ka theksuar se tensionet në Luginën e Preshevës duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe Beogradi të heqë dorë nga kërcënimet.
Ai këto komente i bëri pas kthimit nga vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Unë mendoj që të dy palët duhet të zhvillojnë dialog midis tyre dhe ky dialog duhet të përfshijë një paketë çështjesh që ekzistojnë midis shqiptarëve të luginës së Preshevës dhe autoriteteve serbe. Këto çështje shkojnë shumë përtej çështjes së një monumenti historik, i cili përbën një veçanti për arsye se është pjesë e memories historike të shqiptarëve dhe si i tillë duhet trajtuar si diçka e veçantë në mënyrë shumë të kujdesshme, por siç thashë dialogu midis autoriteteve serbe dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është më i gjerë dhe duhet të përfshijë pa dyshim dhe diskriminim që i është bërë këtij komuniteti në mënyrë sistematike duke i privuar të drejtat e tyre si qytetarë të Serbisë. Konkretisht për sa i përket të drejtave në fushën ekonomike, sociale dhe aq më tepër përfaqësimin politik që ato duhet të kenë në të gjitha organizmat e qeverisjes vendore. Pikërisht vendosja e dialogut duhet të synojë propozimin e në pakete të tillë. Por ultimatum, vendosje afatesh, kërcënime; këto nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemeve dhe unë i bëj apel autoriteteve të Beogradit dhe të gjithë aktorëve që të heqin dorë nga kërcënimet dhe vendosjes së ultimatumeve të kësaj natyre”, deklaroi Panariti.
Ai ka sqaruar se nuk ka marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e delimitimit të ujërave të “shellf-it” kontinetal të hapësirës ujore midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është taksativ dhe i prerë.
“Ne duhet të rimarrim edhe njëherë negociatat me shtetin grek për të arritur një marrëveshje, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme nga të dyja palët. Për një dokument të tillë, të cilit ju i referoheni, unë akoma nuk kam informacion zyrtar që ky dokument është i depozituar në OKB. Në momentin që do të depozitohet do t’a shohim me kujdes dhe do të prononcohemi”, theksoi ministri i jashtëm shqiptar.
.....
Kuvendi Komunal i Preshevës sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën ka miratuar vendimin për legalizimin e përmendores së vënë para godinës së kuvendit komunal të Preshevës me emrat e dëshmorëve të kombit.
Në mbledhjen e sotme të kuvendit komunal, propozuesit lexuan vendimin se përmendoret, lapidaret, muralet etj., që kanë qëllim përkujtimi, lejohen të përdoren në komunën e Preshevës të garantuar me ligjet e Serbisë. Përkitazi me këtë, Kuvendi Komunal i Preshevës bazuar në këtë ligj miratoi vendimin për legalizimin e lapidarit të dëshmorëve të kombit të rënë në luftën që u zhvillua në Luginë të Preshevës, transmeton “Presheva Jonë”.
Paraprakisht mbledhjes së sotme të kuvendit komunal të Preshevës i ka paraprirë edhe një mbledhje po ashtu urgjente e liderëve të partive politike shqiptarë të Luginës së Preshevës, në të cilën kanë diskutuar për situatën e sigurisë në komunë e Preshevës. /Indeksonline/
.....
Përfaqësuesit e qeverisë lokale në Preshevë kanë propozuar që lapidari i UÇPMB’së të zhvendoset për 50 metra nga vendi ku është aktualisht, në oborrin e Xhamisë, merr vesh B92.
“Për ta zhvendosur lapidarin e UÇPMB’së, shqiptarët kërkojnë që të largohet lapidari i Xhandarmerisë serbe në fshatin Luçan të Bujanovcit”, ka thënë një burim për B92.
Në mesnatë ka kaluar afati të cilin ministria serbe e drejtësisë ua kishte dhënë autoriteteve në Preshevë që ta largojnë lapidarin e UÇPMB’së.
Sipas mediave serbe, qytetarët megjithatë janë të tensionuar rreth lapidarit, por edhe për shkak të numrit të madh të ekipeve mediale që janë vendosur në Preshevë, transmeton Express.
Sipas Driton Salihut, redaktor në portalin Presheva.com, situata është tensionuar pikërisht për shkak të mediave.
"Nëse deri në mesnatë, atëherë edhe kur është afati i fundit i vendosur për të hequr monumentin në Preshevë, atëherë Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike, do të paraqesin një kërkesë për procedurë penale kundër shefit të Administratës Komunale të Preshevës", ka thënë mbrëmë ministri i Drejtësisë dhe Administratës Publike të Serbisë, Nikola Selakovic./Indeksonline/