E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahajaga i do në Samitin rajonal Serbinë e BeH-në

 Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë punimeve të Samitit të 5-të të Presidentëve të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, që po zhvillon punimet në Durrës, ka zhvilluar sot takime të veçanta me presidentin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Siç njoftohet përmes një komunikate nga Presidenca e Kosovës, në takime është diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe një varg temash me interes.

Dje pasdite, Presidentja Jahjaga ka zhvilluar një takim edhe me nikoqirin e këtij samiti, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani.

Pas takimeve të veçanta, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kanë zhvilluar takimin e tyre përbashkët, ku kanë paraqitur dhe kanë diskutuar një varg temash me interes.

Të katër presidentët, pas takimit, në një konferencë për media, kanë folur lidhur me rrjedhën e takimit dhe çështje të tjera.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga,në takimin e përbashkët në samitin e 5-të të presidentëve të rajonit, ndër të tjera këtë samit e cilësoi si një vazhdimësi të takimeve tona të përbashkëta për t’iu dhënë shtytje proceseve demokratike në Evropën Juglindore dhe për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet vendeve tona. Përpjekjet tona për një rajon të sigurt, në paqe dhe me stabilitet të qëndrueshëm është rruga dhe përkushtimi ynë drejt integrimeve euro-atlantike, që hap perspektivën e qartë për qytetarët tanë dhe vendet tona. Ajo shtoi se ky samit, si shtete të rajonit, na gjen në një moment të rëndësishëm sa i përket reformave brenda vendeve tona, të përshkruara me sfida, e që kanë për objektiv transformimin e shteteve tona në anëtare të denja të Bashkimit Evropian, synim ky të cilin e kemi të gjithë bashkërisht.

“Sot në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, po mbretëron një atmosferë e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, e të shikuarit përpara, një pragmatizëm që na ndërgjegjëson se është përgjegjësi dhe mision yni që ta ndërrojmë kahen e historisë për qytetarët e rajonit”, tha presidentja Jahjaga. Në këtë, shtoi ajo, rrugëtim të ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, që është edhe parakusht i anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO, vendet tona në këtë proces duhet të bashkëpunojnë duke ndërtuar marrëdhënie të sinqerta dhe të barabarta.

“ Duke hapur një dialog të sinqertë si fqinj, duke shndërruar samitet si ky i katër presidentëve të rajonit në forume tradicionale me konkluza konkrete, ne më së miri i adresojmë sfidat dhe shanset e përbashkëta”, tha Presidentja e Kosovës dhe shtoi se “Përmes kësaj gjuhe të bashkëpunimit, kam bindjen e plotë se shtetet tona janë në rrugë të rikrijimit të një shansi historik për rajonin, të ngjashëm me atë që vendet kyçe të Bashkimit Evropian e krijuan 50 vite më parë përmes pajtimit politik, njohjes së realitetit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndërthurjes ekonomike që ua përcaktonte gjeografia dhe historia”. Siç u shpreh presidentja Jahjaga, “në realizimin e këtij vizioni, Republika e Kosovës po e luan një rol konstruktiv duke u angazhuar për dialog me të gjithë fqinjët e saj për zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale”. Siç tha ajo “Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk është e kompletuar pa anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore”.

Për të arritur këtë qëllim, unë kam propozuar që bashkëpunimi ynë të marrë formën e një të ashtuquajturi "mini Schengen", i cili ndër të tjera do të krijojë nxitje për rritjen e numrit të projekteve të përbashkëta të investimeve kapitale, duke vënë në funksion fondet e Bashkimit Evropian dhe duke shfrytëzuar resurset dhe kapacitet tona.

“Unë do të marrë iniciativën, ashti si edhe ju, besoj këtë herë me më shumë sukses, që të zgjeroj formatin e këtij forumi të rëndësishëm me pjesëmarrjen e Bosnjë e Hercegovinës dhe të Serbisë”, u shpreh Jahjaga. Sipas saj, ky zgjerim do të ndihmojë njëkohësisht edhe iniciativën e presidentëve slloven dhe kroat, të cilët e mbajnë Procesin e Bërdos, që përafron vendet të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, duke shfrytëzuar praktikat më të mira të vendeve anëtarë të BE-së.

“Përfshirja e presidentëve të Serbisë dhe Bosnjës në takimet rajonale kontribuon në zhvillimin e programeve konkrete të bashkëpunimit, që rezulton me nisma të cilat janë më se të nevojshme në këtë fazë të zhvillimit tonë si rajon dhe si shtete të pavarura që zbatojmë reformat e brendshme dhe duke aspiruar që brenda kësaj dekade të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha Jahjaga në Durrës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›