E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Anashkalimi i Kosovës nuk i shërben paqes e stabilitetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, shpreh keqardhjen e saj për anulimin e Samitit në Ohër, të nismës për bashkëpunim rajonal, (SEECP), për shkak të mos respektimit të parimit të gjithëpërfshirjes dhe zgjerimit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, në një dkelaratë me shkrim, zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu.

”Mosftesa për Republikën e Kosovës në një Samit rajonal, nuk shihet si kontribut i të arriturave të deritashme në rajon dhe bashkëpunimit të ndërtuar me përkushtim për më shumë se një dekadë. Anashkalimi i Republikës së Kosovës nga nismat rajonale nuk i kontribuon marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit si dhe procesit të integrimeve evropiane”, ka cituar Jahjagën Vllahiu.

Komentet vijnë një ditë pasi që presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, anuloi mbajtjen e samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i paraparë të mbahej në Ohër, këtë fundjavë.

Ai theksoi se ky anulim u bë për shkak të mospjesëmarrjes së konfirmuar të disa presidentëve në samit.

Kosova nuk ka qenë e ftuar të marrë pjesë në samit, dhe presidnetët që kanë refuzuar pjesëmarrjne kanë dhënë indikacione se Kosova është shkak.

Ndërkohë, në deklaratën e Vllahiut, thuhet se ”marrëdhëniet ndërmjet shteteve ndërtohen në mirëbesim dhe respektim të ndërsjellë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në proceset e integrimeve duke shtrirë dorën e bashkëpunimit”.

”Republika e Kosovës është e përkushtuar që të vazhdojë ndërtimin e marrëdhënieve me secilin shtet veç e veç në rajonin e Ballkanit dhe të promovojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë si shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë Vllahiu, duke shtuar:

”E përshëndesim qëndrimin parimor të vendeve që refuzuan të marrin pjesë në Samit, në të cilin nuk është e ftuar Kosova, sepse përjashtimi i saj nuk mund të konceptohet se është në frymën e zgjerimit dhe të bashkëpunimit. Përfshirja e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare ndihmon në ruajtjen e vlerave të përgjithshme të bashkëpunimit dhe siguron edhe të ardhmen e rajonit në BE”.

Në deklaratë thuhet se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të mira me Republikën e Maqedonisë, si dy shtete fqinje që kanë treguar shembull të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

”Gjithsesi se Republika e Kosovës do të përkushtohet për të qenë promotor i fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit dhe të jap kontributin e saj në proceset nëpër të cilat po kalon ky rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në integrimet evropiane dhe këtë të ardhme duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku, në mënyrë të barabartë dhe me respektim të ndërsjellë”, ka thënë Vllahiu./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›