Hoti: Qeveria vazhdon ta diskriminojë Prishtinën

Korniza afatmesme e shpenzimeve për vitin 2014-2016 e miratuar nga Ministria e Financave, diskriminon Komunën e Prishtinës veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit. Kështu u tha sot gjatë një vlerësimi që zyrtarë të Komunës së Prishtinës i bënë Kornizës afatmesme të shpenzimeve për vitin 2014-2016.
Zyrtarët e Komunës së Prishtinës e kanë kritikuar formulën e Qeverisë për ndarjen e granteve pasi që sipas tyre kjo formulë nuk mund të aplikohet njësoj në të gjitha Komunat derisa në Prishtinë marrin shërbime komunale edhe një numër i madh i qytetarëve që nuk janë të regjistruar si banorë të Prishtinës.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon praktikën e diskriminimit të kryeqytetit. Sipas tij, ndarja e granteve e diskriminon komunën e Prishtinës në krahasim me Komunat tjera, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.
Hoti ka thënë se sipas kësaj kornize të shpenzimeve buxhetore, për vitin 2014-2016 do të ketë rreth 2000 arsimtarë më pak.
“Derisa ne po pretendojmë numër më të madh të arsimtarëve sidomos në arsimin e mesëm që nuk është i obliguar, qeveria po planifikon të largojë nga puna rreth 2000 arsimtar”, ka thënë Hoti, derisa ka shtuar se Prishtina merr 16% te grantit të total që i shpërndahet komunave ndërsa kontribuohet me 40% me të hyra vetanake.
“Ne ofrojmë shërbime për arsim dhe shëndetësi për 25% të qytetarëve të Kosovës pavarësisht a janë banorë të regjistruar në Prishtinë apo jo ndërkohë që granti për arsim dhe për shëndetësi në Komunën e Prishtinës është vetëm 10% e grandit total për arsim dhe shëndetësi”, ka shtuar ai.
Hoti ka kërkuar nga Qeveria që të ndryshojë këtë politikë të ndarjes së granteve për kryeqytetin ose në të kundërtën Komuna do të detyrohet që t’iu ofrojë shërbime vetëm qytetarëve të regjistruar në Komunën e Prishtinës.
Edhe, drejtori i Drejtoritatit për shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Valbon Krasniqi ka vlerësuar se kjo formulë e ndarjes së granteve ka prekur në mënyrë të ndjeshme shëndetësinë primare në Komunën e Prishtinës. Sipas tij, Qeveria nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe se ajo nuk i merr parasysh as propozimet e dikastereve të saj dhe Ministrisë së shëndetësisë.
“Ministria e shëndetësisë ka propozuar që granti specifik për shëndetësi primare të jetë mbi 7 milion euro, edhe komisioni i granteve aprovon grant në vlerë afër 6 milion euro, ndërsa Ministria e Financave e zbret në 4.4 milion euro, 2.5 milion euro më pak se viti paraprak”, ka thënë Krasniqi, derisa ka shtuar se me këtë shumë nuk arrihet të mbulohen as pagat e stafit shëndetësor të cilat arrijnë në 4,5 milion euro.
“Shëndetësia është në rrezik, veçanërisht në Komunën e Prishtinës. Ne i rrisim kapacitet dhe kemi hapur katër Qendra të reja të Mjeksisë Familjare në anën tjetër kemi grante të ulëta nga ana e Qeverisë”, ka thënë Krasniqi.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtoratit për Financa dhe Pronë në Komunën e Prishtinës, Xhelil Bekteshi ka kërkuar nga Qeveria që ti shqyrtojë kërkesat e Komunës në qarkoren e dytë buxhetore.
Ndryshe, Ministria e Financave ndan grantet qeveritare për Komunat në proporcion me numrin e banorëve. Deri më tani MF ka ndarë grante për Prishtinën duke përllogaritur mbi 350 mijë banorë por me regjistrimin e fundit të popullsisë Prishtina doli të ketë më pak se 200 mijë banorë. Nga viti 2014 Prishtina do të ketë grante qeveritare dukshëm më të vogëla se deri më tani./Indeksonline/