E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë vështirësi për identifikimin e krimit të dhunimit

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të projektit të mbështetur nga UNDP “Fuqizimi i platformës së të drejtave të njeriut për viktimat e dhunimit në Kosovë”, ka mbajtur sot konferencën vjetore me titull “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunimit, mbrojtja e tyre ligjore dhe rëndësia e ndëshkimit të kryerësve”.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore (Ministria e Integrimeve Evropiane), autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë (EULEX, OSBE, Ambasada e SHBA), të institucioneve të rendit dhe drejtësisë në Kosovë (Policia e Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës etj), Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësues të Shoqërisë Civile, përfshirë edhe shoqata të viktimave të dhunimit në Kosovë si dhe mediat.

Konferencën e hapi Drejtoresha e QKRMT Znj Feride Rushiti, e cila fillimisht falënderoi Zyrën e UNDP-së në Kosovë për mbështetjen e projektit, i cili realizohet në kuadër të programit gjithëpërfshirës të UNDP “Avancimi i drejtësisë gjinore në Kosovë”.

Znj. Rushiti vlerësoi pjesëmarrjen masive në konferencë si dëshmi të përkrahjes institucionale dhe shoqërisë civile dhe si mundësi për t’i kontribuojë fuqizimit të platformës së të drejtave për viktimat e dhunimit në Kosovë.

Znj. Shqipe Neziri në emër të programit të UNDP “Avancimi i drejtësisë gjinore” e vlerësoi këtë konferencë si një mundësi shtesë për avancimin dhe përparimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunimit.

Ministrja e Integrimeve Europiane, znj. Vlora Çitaku theksoi se tema që po shqyrtohej implikon shumë faktorë dhe të gjithë duhet të përpiqemi që diskutimet dhe përkushtimet të mos mbesin vetëm si deklarata, por t’i përdorim për avancimin dhe fuqizimin e kësaj platforme.

Znj . Nina Pelkonen (Hetuese në EULEX) shpjegoi procesin e hetimit nga ana e EULEX-it të krimeve të luftës në Kosovë dhe në veçanti krimit të dhunimit. Ajo përmendi bashkëpunimin e mirë me QKRMT-në dhe bashkëpunimin në rritje me viktimat e dhunimit gjatë luftës në Kosovë. Në kontekst të hetimit të krimit të dhunimit dhe identifikimit të kryerësve tha se mbeten shumë vështirësi apo rrethana që e vështirësojnë procesin e hetimit të këtij krimi.

Z. Pajazit Nushi, anëtarë i Institutit për Krime të Luftës, përmendi tri rrethana aktuale që karakterizojnë debatin për qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen ligjore të viktimave të dhunimit. Së pari, aktualiteti i temës në të gjitha institucionet e përfshira, së dyti marrëveshja Kosovë-Serbi dhe fakti se kategoria e krimit të dhunimit dhe personave të zhdukur gjatë luftës nuk zënë vend në Marrëveshje dhe së treti, fakti se dy nga gjeneralë të ish-Jugosllavisë (Serbisë) që kanë pranuar krimet e kryera të luftës në Bosnje dhe që janë dënuar për to nga Tribunali i Hagës, në aktakuzat ndaj tyre nuk flitet edhe për krimin e dhunimit.

Z. Bexhet Shala Drejtori KMDLNJ-së foli për nismën e Qeverisë për themelimin e grupit ndërministror për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe procesin e pajtimit, por tha se grupi ende nuk ka arritur të hartojë një strategji si t’i qaset kësaj çështje.

Në fund të Konferencës znj. Feride Rushiti theksoi nevojën për vazhdimin e ofrimit të rehabilitimit psiko-social për to./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›