Jahjaga: EULEX-i partner i ngushtë për garantimin e rendit dhe ligjit
.jpg)
"Kosova është pjesë e pandashme e Evropës së Bashkuar dhe integrimi në këtë familje të madhe nuk ka alternativë. Populli i Kosovës, pa dallim, është i bashkuar në këtë qëllim dhe rrugën drejt integrimit do ta bëjë së bashku. Proceset demokratike në gjithë rajonin dhe synimet e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE, duhet të bëhen së bashku pa e penguar njëri – tjetrin, por duke e respektuar mëvetësinë e secilit".
Kështu ka deklaruar, të enjten mbrëma presidentja e vendit Atifete Jahjaga në pritjen e shefit të ri të EULEX-it, Bernd Borçard në vigjilje të shënimit të pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, të cilit i uroi mirëseardhje në detyrën e re me bindjen se ai ka përvojën dhe përkushtimin e nevojshëm për të udhëhequr këtë mision.
Kosova rrugën e saj drejt integrimit evropian po e bën së bashku edhe me misionet evropiane në Kosovë, tha Jahjaga, duke shtuar se ndihma e misionit për sundimin e ligjit, EULEX, për institucionet e Kosovës është e dobishme dhe ka dhënë rezultate deri tash. "Misioni i EULEX-it ka qenë dhe do të mbetet një partner i ngushtë i institucioneve të Republikës së Kosovës për garantimin e rendit dhe ligjit shkruan kosova sot.
Ne duhet të vazhdojmë të veprojmë, të vendosur dhe së bashku për të ndërtuar kapacitet e plota në Kosovë dhe për të vendosur rend dhe ligj", ka thënë Jahjaga. Ajo tha se Kosova është një histori e përbashkët suksesi e popullit dhe institucioneve të saj si dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe këtë gjë e ka dëshmuar në këto vite se është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe promovuese e fqinjësisë së mirë jo vetëm në rajon.
Jahjaga shtoi se Kosova si shtet i ri në hartën e Evropës po kalon sfidat e saj, si të gjitha vendet e tjera në periudhat e tranzicionit, dhe përballja jonë me to po bëhet më e fuqishme. "Duke vendosur parimet themelore të një shteti ligjor, lufta kundër dukurive negative në vend, krimit të organizuar dhe korrupsionit është shndërruar në përparësi të punës me qëllimin për ta fituar atë.
Nuk duam që gjeneratave të reja t’u lëmë barrën e përgjegjësisë dhe angazhimi ynë i përbashkët në këtë luftë dhe në betejat e ardhshme për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, është synim i pandalshëm", deklaroi Jahjaga./Indeksonline/