Jahjaga: Gruaja kosovare, viktima më e madhe e luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas.
Në tryezë ishin të pranishëm edhe ministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku e Ferid Agani, si dhe përfaqësuese të organizatave vendore për gratë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga, duke marrë fjalën tha se “Dhuna seksuale në konflikte, si mjet i luftës për arritjen e qëllimeve politike, është një prej çështjeve më të ndjeshme në Kosovën e pasluftës, dhe një prej tragjedive më të rënda që ka prekur një numër të madh të femrave shqiptare.
Kjo çështje, në shoqërinë e Kosovës, vazhdon të jetë një temë e mbyllur dhe e patrajtuar megjithatë pasojat që ajo lë pas, meqë qëllimi themelor i kësaj dhune ishte mbjellja e urrejtjes dhe vazhdimi i luftës edhe atëherë kur ajo në fushëbetejë ka përfunduar.
Dhuna seksuale është bërë pjesë e pothuaj secilit konflikt të armatosur, kudo në botë, si një prej mjeteve më të tmerrshme për mposhtjen dhe nënshtrimin e një populli dhe rajoni të caktuar”.
Në vazhdim Jahjaga tha se duke i konsideruar përmasat dhe intezitetin e këtij lloji të dhunës, sekretari i jashtëm britanik, William Hague, së fundi, në nismën e tij për ta konfrontuar këtë dukuri të shëmtuar, me të drejtë e ka quajtur dhunimin si mjet lufte sfidë të kësaj gjenerate sepse “nëse nuk ka drejtësi për të mbijetuarit, zhvillimi i vendit do të ngecë dhe farat e konfliktit të ardhshëm do të mbillen.”/Indeksonline/