E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiq Gani Azemi, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka marrë lajmin për vdekjen e Gani Azemit, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, stafi i MPJ-së dhe Ambasada e Kosovës në Bruksel, u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të shumtë të kolegut Azemi, i cili u nda nga jeta në orët e hershme të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë.

"Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh konsideratat më të larta për punën dhe angazhimin e madh të zotit Azemi, veprimtari e cila do të jetë përherë shembull për kolegët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, kudo që ata ndodhen. I vendosur në Bruksel më 1978 si refugjat politik, Gani Azemi për dekada të tëra ishte aktivist i palodhshëm për lirinë dhe pavarësisë së Kosovës. Angazhimi i tij ishte i pareshtur e i shumanshëm, si gazetar, publicist, aktivist e diplomat. Puna dhe veprimtaria e pakursyer dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Azemit, është shoqëruar përherë nga synimi i paepur për sensibilizim të vendimmarrësve në Bruksel me kauzën e Kosovës. Gani Azemi ishte në ballë të një numri nismash, përfshirë edhe si bashkëthemelues i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ndërsa gjatë tri viteve të fundit shërbeu si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel", thuhet ne njoftimin e MPJ'së.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në Prishtinë, me datë 1 dhjetor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›