E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veseli afër Thaçit

Ish-Shefi i SHIK’ut, Kadri Veseli ka qëndruar përkrah Kryeministrit Hashim Thaçi të shtunën në Mitrovicë, me rastin e përurimit të shtatores së Isa Boletinit. Veseli ka hyrë para pak ditësh në PDK duke shfaqur ambicie për të marrë poste udhëheqëse në parti.

Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi janë ulur të premten afër njëri-tjetrit me rastin e përurimit të shtatore së heroit Isa Boletini në Mitrovicë.

Ish-Shefi i SHIK’ut ka aderuar në PDK para disa ditësh duke e bërë me dije se synon të marrë poste udhëheqëse në Partinë që e udhëheq Hashim Thaçi.

Por, kjo është hera e parë që Kryeministri Thaçi dhe anëtari i ri i PDK’së, Kadri Vesli marrin pjesë bashkë në një aktivitet publik.

Megjithëkëtë, Veseli nuk ka qëndruar deri në fund afër shefit të tij partiak, pasi vendin ia ka lëshuar Liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Pas kësaj, Veseli është ulur afër Liderit të LDK’së, Isa Mustafa.

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur procesin zgjedhor partiak më 1 nëntor, ndërkohë që synon ta përfundojë atë deri më 15 dhjetor. zyrtarë të lartë të PDK’së kanë thënë se Kongresi partiak pritet të mbahet gjatë muajit janar.

E në përurimin e shtatores së Isa Boletinit, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kjo është një ditë e madhe për Mitrovicën, Kosovën, por edhe mbarë popullin shqiptar, pasi që heroi kombëtar, Isa Boletini u kthye në atdheun e vet në Mitrovicën e Minatorëve.

Ai ka pohuar se të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Tiranë, Ulqin, e diasporë jetojnë me mendje, shpirt dhe sy të drejtuara kah Mitrovica.

“100 vjet më parë, në Vlorën heroike kishte arritur Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarët e tij. Pikënisja e këtij marshimi të Lirisë e Pavarësisë ishte pikërisht Mitrovica”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur edhe më gjatë për historinë.

“Me Isa Boletinin vinte historia e lavdishme e kryengritjeve të vitit 1908, kryengritje nga themeluesi i Pavarësisë së Shqipërisë, ideologu dhe strategu, Hasan Prishtina. 400 luftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali”, ka thënë mes të tjerash Kryeministri Thaçi.

Sipas tij, Mitrovica dhe gjithë Kosova me krenari pranon në sheshin e saj shtatoren e gjeneralit të pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka sjellë para qytetarëve të tubuar përshëndetjet më vëllazërore nga qyteti dhe qytetarët e Tiranës, si dhe nga vetë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai tha se ka ardhur të marrë pjesë në këtë manifestim, që si një adhurues i kahershëm i këtij burri të madh të kujtoj disa fakte.

“Në kullën e tij, Isa Boletini në vitin e largët 1899, në kullën e vet të pamposhtur ngriti shkollën shqipe, nga të parat shkolla të Shqipërisë. Kulla e Isës pra dhe gurët e saj të mëdhenj do të flakëronte edhe diell, zgjim dhe vetëdijesim kombëtar”, ka thënë Basha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›