Jahjaga: Kosova është e përkushtuara për të zbatuar marrëveshjen me Serbinë

(E plotësuar) Presidentja Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendës- ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Philip Reeker, me të cilin bisedoi për proceset në Kosovë, për marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i saj është i një rëndësie të veçantë dhe e siguroi Reekerin se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar atë dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë.
Ajo tha se me shpalljen e datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht, është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti dhe përfshirja e saj në të gjitha nismat rajonale, në mënyrë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë, do të mundësojë dhënien e kontributit për çështjet e përbashkëta dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të rajonit.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj, meqë kjo mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma. /Indeksonline/
.........................
Reeker takon zyrtarët e institucioneve dhe partive politike
Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit Philip T. Reeker po qëndron në Kosovë, ku sot pritet të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve.
Gjatë vizitës në Kosovë, Zëvendës-ndihmës Sekretari Reeker pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve kosovare, si me kryeministrin Hashim Thaçi, presidenten Atifete Jahjaga, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj si dhe krerët e partive opozitare të LDK-së dhe AAK-së.
Vizita e Reeker e cila fillojë të enjten, do të zgjasë deri me 6 korrik./Indeksonline/