Jahjaga: Kosova, faktor paqeje dhe stabiliteti
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka bërë përparim në rrugën e saj të integrimeve evropiane me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe studimin e fizibilitetit dhe vlerësoi se ndihma e Bullgarisë në këto dy procese është e nevojshme.
Duke folur për përmbylljen e e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe theksoi se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran i ka marrë të gjitha përgjegjësitë në duart e saj duke garantuar të gjitha të drejtat për të gjitha komunitetet.
Ajo tha se Republika e Kosovës është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti. Presidentja Jahjaga gjithashtu ka theksuar se Kosova është e interesuar që të vendos marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Serbinë, duke kërkuar që ajo ta njoh realitetin e Kosovës dhe të heq dorë nga mbështetja e strukturave ilegale dhe kriminale në veri të vendit. Jahjaga po ashtu tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme që të dialogojnë me qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, në tri komunat në veri të vendit, me qëllim të inkuadrimit të tyre në institucionet e Kosovës.
Ndërsa Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset e saj demokratike dhe në procesin e integrimeve evropiane.
Në kuadër të delegacionit të Kosovës veç presidentes Jahjaga, po qëndron edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë, të cilët po zhvillojnë takime të niveleve të larta me zyrtarë të vendeve të ndryshme.