Jahjaga: Kosova ka shumë për të ofruar

Po zhvillohet në Kosovë dita e dytë e Samitit Ndërkombëtar të Gruas. Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive.
Jahjaga para të pranishmëve vlerësoi se Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t`u bërë iniciatorë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejmë të gruas si faktor kyç për zhvillim.
“Secili nga panelet tona ka një detyrë të veçantë në duart e tij. Çështjet që duhet t`i adresojmë dhe të përballemi nuk janë të reja. Ato e kanë munduar gruan për shekuj të tërë, por ne po ndërtojmë bazat dhe strukturën që do të na mundësojnë që të sigurojmë një të ardhme solide për gruan sot dhe për gjeneratat e ardhshme”, deklaroi presidentja.
Ajo vlerësoi se fuqizimi ekonomik është baza fondamentale e fuqizimit të gruas gjithandej në botë, pasi sipas saj, gratë në gjithë botën janë të nënvlerësuara dhe më pak të paguara.
“Gratë duan të bëhen ndërmarrëse por mungesa e financimit, e trajnimit afarist ose edhe arsyet personale, mund t`i dekurajojnë ato nga fillimi i një projekti afarist. Nuk ka të bëjë me mungesë të inovacionit: studimet kanë treguar se gratë janë njëlloj avtive si edhe burrat. Dhe kur gratë bëhen pjesë vitale e procesit ndërmarrës, ato kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillim, inovacion dhe vlera të komuniteteve të tyre. Çështja është se si mund të lehtësojmë zhvillimin e grave ndërmarrëse”, u shpreh Jahjaga.
Ndër të tjera, presidentja e Kosovës theksoi se e drejta pronësore dhe qasja në burime është e drejtë themelore