E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia formon ekipin për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Beogradi zyrtar ka formuar ekipin që do të angazhohet për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, së shpejti pritet të miratohet edhe Platforma për Kosovën, ndërsa në krye të grupit të punës do të jetë shefi i ekipit për dialog, Dejan Paviçeviç.

Qeveria e Serbisë, në përpjekjet për t`i përmbushur kushtet e integrimit në BE, ka formuar grupin e punës për zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit me Kosovën, siç i quan Beogradi “vendkalimet kufitare.

Sekretari i qeverisë serbe Veljko Odalloviç ka theksuar për gazetën “Veçernje Novosti”, se në atë grup i cili së shpejti duhet të takohet me përfaqësuesit e Prishtinës dhe të administratës së Brukselit, do të jenë ekspertët nga ministritë e policisë, mbrojtjes, bujqësisë, drejtorisë së doganave.

Ata do të përpiqen të merren vesh me institucionet e Kosovës dhe BE-në, si të zbatohen në terren marrëveshjet e arritura e që njëkohësisht, të respektohet edhe legjislacioni i Serbisë.

“Pasi që edhe pala jonë pranon se zgjidhjet e arritura nga shkurti i këtij viti nuk janë sa duhet të volitshme, ky grup do të mundohet që në tryezën negociatore të arrijë zgjidhje sa më të mira”, ka thënë ai.

Njëkohësisht, gazeta “Novosti” thekson se puna në hartimin e Platformës shtetërore për Kosovën po intensifikohet pas kthimit të presidentit të Serbisë nga Nju Jorku.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›