Jahjaga-Nikolic, Kosova nuk e përjashton takimin
Kosovë- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është e gatshme që të takohet me këdo në interes të shtetit të Kosovës, madje edhe me homologun e saj serb Timoslav Nikoli.
Pak pasi u raportua lajmi se Nikolic kishte rënë dakord në Bruskel të takohej me zonjën Jahjaga por jo me kryeministrin Thaçi, këshilltari për mediat i presidentes kosovare ka thënë për mediat: “Presidentja Jahjaga përfaqëson unitetin e popullit dhe me këtë edhe unitetin politik të vendit, duke respektuar mandatin kushtetues dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, është shtet sovran dhe i pavarur, që ka të garantuar integritetin e saj territorial dhe në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare përfaqësohet vetëm si e tillë dhe si subjekt i barabartë me të tjerët”.
Arbër Vllahiu, siç raporton Ekspress ka shtuar se zonja Jahjgaga ka mbështetur vazhdimisht procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e BE-së, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogun e konsideron si të vetmen alternativë dhe të vetmen rrugë që dy vendet, të cilat kanë kaluar nëpër luftë të mund ti normalizojnë marrëdhëniet dhe ti sanojnë pasojat dhe dëmet e luftës”- tha Vllahiu.
Duke shtuar se presidentja Jahjaga thekson se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet dy Kosovës dhe Serbisë.
/IDEA/