E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: S`kemi marr instruksione për dialog

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka mohuar se kanë marrë instruksione në New York për nisjen e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, por, ajo ka vlerësuar se dialogu është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
 

Presidentja Jahjaga ka shtuar se Kosova i ka përcaktuar qëndrimet e saj të cilat janë të qarta se në këtë proces do të paraqitet si shtet i pavarur, si shtet sovran, ndërsa varet nga shteti tjetër se si dëshiron paraqes vetveten.
 

Jahjaga ka thënë se është ende herët të flitet se kush do të udhëheq ekipin dialogues të Kosovës, por ajo ka thënë se nëse bëhet fjalë për interesin e shtetit të Kosovës, ajo mund të udhëheq këtë dialog.
 

“Ende nuk është përcaktuar dhe mund të them se është shumë herët të spekulojmë për aspektin e grupeve kush do të jetë në këto ekipe kush mund të bisedoj dhe kush mund të dialogoj. Por unë e kam thënë edhe herët e tjera se si presidente e Republikës së Kosovës jam e gatshme të takohem me çdo homolog timin gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke ju përmbajtur Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si dy shtete të barabarta”, ka thënë presidentja Jahajga.
 

Në lidhje me paralajmërimet e baroneshës Catherine Ashton, e cila ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për vendime të vështira, presidentja ka thënë se Kosova i ka vijat e kuqe të cilat nuk i diskuton me asnjë shtet.
 

Ajo këto komente i bëri gjatë një konference për media të martën në lidhje me Samitin Ndërkombëtar të Gruas që do të mbahet më 4 tetor me temën: “Partneriteti për ndryshim fuqizimi i gruas”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›