Jahjaga: Takimi me Nikoliqin sukses i normalizimt

“Është takim simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë”, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjendet në Bruksel për të zhvilluar takim me homologun e saj serb, Tomislav Nikoliq, të mërkurën, më 6 shkurt.
Takimin me homologun serb, Tomislav Nikoliq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka cilësuar si simbolik por edhe të rëndësishëm.
“Për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë, gjë që konsiderohet sukses për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve, si dy shtete sovrane dhe të pavarura. Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Jahjaga në një intervistë për Rel.
Sipas Jahjagës, në takim do të bisedohet, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Takimi ka për synim, që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet evropiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.
Duke marrë parasysh të kaluarën tonë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pritshme që marrëdhëniet të normalizohen plotësisht. Takimi i presidentëve është në funksion të këtij qëllimi, ndërsa nga parlamenti, qeveria është e autorizuar të udhëheqë procesin e dialogut”, ka thënë presidentja.
Ajo ka thënë se një marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë mund t’i hap rrugë nënshkrimit marrëveshjeve tjera bilaterale. “Kjo është një normë e rregullt sjelljeje ndërshtetërore, për të gjitha shtetet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Çështja e nënshkrimit dhe e ratifikimit është e rregulluar me Kushtetutë”.
Presidentja Jahjaga ka mohuar mundësinë e kompromisit me pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se as deri më tash nuk është bërë asnjë kompromis që dëmton interesat e vendit dhe qytetarëve të Kosovës. “Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.