E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Takohemi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve

Presidentja e Kosovës Atifehte Jahjaga ka thënë se në takimin e saj me Presidentin serb, Tomisllav Nikoliq do të bisedohet parimisht, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, takimi është simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Serbisë, gjë që konsiderohet sukses për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve, si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

“Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Jahjaga për Radio Evropën e Lirë.

Takimi, sipas saj, ka për synim që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet evropiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.

“Duke marrë parasysh të kaluarën tonë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pritshme që marrëdhëniet të normalizohen plotësisht. Takimi i presidentëve është në funksion të këtij qëllimi, ndërsa nga parlamenti, qeveria është e autorizuar të udhëheqë procesin e dialogut”, ka theksuar Jahjaga.

Jahjaga gjendet në Bruksel për të zhvilluar takim të merkurin me homologun e saj serb, Tomisllav Nikolliq. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›