Theret me thikë një nxënës shqiptarë

Më së paku katër nxënës kanë marrë pjesë në rrahjen e cila dje pas dite kishte ndodhur në shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë.
Gjatë rrahjes kanë përdorur edhe thikat, por fatmirësisht vetëm një prej nxënësve ka përfunduar me lëndime më të lehta trupore. Djaloshi menjëherë është dërguar në spitalin e Strugës, ndërsa pas intervenimit mjekësor është lëshuar për mjekim në shtëpi.
Therja me thikë ka ndodhur në afërsi të vëshkës së majtë, por mjekët kanë arritur që ta ndalojnë gjakderdhjen e nxënësit. Sipas informatave jozyrtare, sulmuesit kanë qenë ish nxënës të kësaj shkolle.
“Ndaj nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë incident do të ketë padi përkatëse, kurse po punohet për identitetin e saktë të nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë rrahje”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Stefan Dimovski, raporton zhurnal.
Policia nuk ka dhënë detaje se të cilës përkatësi etnike i përkasin nxënësit që kanë marrë pjesë në rrahje, ndërsa jozyrtarisht mësohet se rrahja ka ndodhur mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ndërkaq djaloshi i lënduar është shqiptar.
Ky incident është rasti i dytë që ndodh sivjet në këtë shkollë, që më parë njihej si vend i rrahjeve ndërmjet nxënësve shqiptarë dhe maqedonas që mësojnë në të njëjtën godinë në kuadër të shkollës “Niko Nestor” dhe “Ibrahim Temo”./Indeksonline/