E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga-Thaçi unikë ndaj Cooper: Kosova vetëm si shtet i pavarur

Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale , si shtet sovran dhe i pavarur.
Krahas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, këtë përgjigje përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, e ka marrë edhe në takimin që ai ka patur me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale, kryeministri Thaci ka theksuar se Kosova duhet patjetër që të përfaqësohet si shtet sovran dhe i pavarur. “Çfarëdo zgjidhje në këtë çështje, e cila nuk e reflekton gjithashtu realitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, do të jetë e papranueshme”, ka thënë Thaci.
Kryeministri ka falënderuar ndërmjetësin e BE-së, Cooper për punën e tij në procesin e dialogut dhe ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme në kuadër të këtij procesi, e bindur se kjo i shërben normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hap perspektivën e sigurt euro-atlantike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›