E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Zgjidhja për veriun, zbatimi i paketës Ahtisaari

PRISHTINË - Zgjidhja për tri komunat në veri është zbatimi i plotë i Paketës Ahtisaari, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila priti sot në takim zv/kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer.

"Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, me integritet territorial dhe subjektivitet të njohur ndërkombëtar”, theksoi Presidentja Jahjaga dhe nënvizoi se "zgjidhja për tre komunat në veri të vendit është zbatimi i plotë i Paketës së Ahtisaarit, që garanton dhe ofron një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb".

Presidentja Jahjaga theksoi se “me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet në fuqi garantohet dhe sigurohet mbrojtja dhe ruajtja e monumenteve kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve në Kosovë".

Zv/kryetari i Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer, tha se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe ajo është bërë shembull për rajonin. "Reformat e filluara në shumë fusha tregojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve për integrim në familjen evropiane", vlerësoi ai. Neugebauer shprehu gatishmërinë e Austrisë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e arsimit, ekonomisë dhe turizmit.

Presidentja Jahjaga theksoi se shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy vendeve dhe Parlamenteve, si dhe ndihma e Austrisë për Kosovën në procesin e integrimeve dhe në veçanti të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, ka një rëndësi të madhe.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›