Jahjaga dhe Nikoliç pritet të takohen javën e ardhshme

Javën e ardhshme diplomatët perëndimorë presin të arrijnë lëvizje konkrete në ngritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin e lartë politik. Ndërsa më 24 shtator në darkën që do të shtrojë presidenti amerikan Barack Obama për krerët e shteteve, pritet një shtrëngim duarsh ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe presidentit serb Timosllav Nikoliç.
Burime të “Kohës Ditore” kanë thënë se pritjet e mëdha për takimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë zbehur, për shkak të diskutimeve në Bruksel dhe mosgatishmërisë së palëve, por nga e hëna e ardhshme shpresohet se megjithatë do të lëvizë diçka në çështjen e dialogut.
Ndërkombëtarët po bëjnë përpjekje që gjatë darkës që presidenti i SHBA-së, Barack Obama, pritet të shtrojë për krerët e shteteve më 24 shtator të ketë një shtrëngim duarsh mes Jahjagës dhe presidentit serb Nikoliç. Ndërkohë konsultimet për dialogun politik, përfaqësuesja e BE-së, Catherin Ashton do t`i zhvillojë me presidentin serb Nikoliç dhe me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, nëse jo në një takim të përbashkët, atëherë veç e veç.
Sipas një zyrtari, ndonëse simbolik, shtrëngimi i duarve do të shënonte edhe përshëndetjen e parë publike të dy liderëve të të dyja vendeve që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më herët një shtrëngim duarsh ka pasur kryeministri Hashim Thaçi me Boris Tadiçin, por takimi ka ndodhur vetëm pasi lideri i demokratëve të Serbisë ka përfunduar mandatin e presidentit.