E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Serbia s`do të marrë datën e negociatave për në BE

Komisioni Evropian e ka vlerësuar si “të kufizuar” përparimin që ka bërë Serbia në integrimet evropiane dhe nuk do t`i rekomandojë Këshillit të Evropës, që t`i japë Beogradit datën e negociatave të anëtarësimit, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja serbe “Danas”.
 

Duke cituar burime brenda qeverisë serbe dhe Komisionit Evropian, gazeta shkruan se ky i fundit, më 15 shtator, ka përfunduar hartimin e raportit vjetor për përparimin e Serbisë i cili do të jetë me ton kritik në shumicën e 30 kapitujve që janë marrë në konsideratë.
 

“Danas” shkruan se në raport do të figurojnë kushtet, para së gjithash në lidhje me Kosovën, të cilat duhet të përmbushë Serbia për të fituar datën e negociatave për anëtarësim në BE.
 

Sipas burimeve të saj, raporti do të vërë në dukje se, për shkak të organizimit të zgjedhjeve, Serbia nuk ka realizuar përparimin e pritur të reformave në shumë fusha, nisur nga normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën deri te gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
 

Me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, vijon “Danas”, do të nënkuptohet zgjidhja e çështjes së telekomunikacionit, energjetikës, si dhe funksionimi i institucioneve serbe në veri.
 

Brukseli do të insistojë sërish në tërheqjen e strukturave serbe të sigurisë nga veriu i Kosovës, shkruan “Danas”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›