E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga e Thaçi dënojnë sulmin ndaj Balajt

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e ka dënuar fuqishëm sulmin fizik ndaj aktivistes Nazlie Bala, që u ka dhënë krah dhe mbështetje grave të dhunuara.

“Sulmi fizik ndaj zonjës Bala është një akt qyqar, është goditje ndaj vlerave të shoqërisë sonë, që mëton të jetë demokratike dhe tolerante, dhe është edhe sulm ndaj asaj pjese të shoqërisë të cilës i nevojitet përkrahja e të gjithë neve”, thuhet në komunikatën e presidencës.

“Dhuna fizike ndaj një aktivisteje është një vepër e patolerueshme dhe e papranueshme që kthen prapa zhvillimin demokratik të vendit dhe përpiqet ta përulë gjysmën e popullatës së Kosovës”, thuhet në komunikatë

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, thekson se aktet e këtilla barbare nuk mund të mbesin të pandëshkuara dhe kërkon me forcë nga mekanizmat e sigurisë që të kapin sulmuesit dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

Nga ana e tij edhe, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj aktivistes Nazlie Bala.

"Ky akt qyqar është i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe është në dëm të demokracisë së vendit tonë", citohet të ketë thënë kryeministri, përmes një komunikate për shtyp.

Ai ka kërkuar "veprimin e shpejtë dhe të vendosur të organeve kompetente, në mënyrë që të kapen akterët e këtij sulmi dhe të marrin dënimin e meriturar".

Nazlie Bala është sulmuar fizikisht mbrëmë, në hyrjen e banesës së saj. Lëvizja Vetëvendosje, pjesëtare e së cilës është zonja Bala, ka bërë të ditur se "sulmi ndërlidhet me “iniciativën e kohëve të fundit për amendamentimin e Ligjit për veteranët, familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, kur për herë të parë synohet të vendosen si kategori e viktimës së luftës edhe personat e dhunuar seksualisht"./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›