Protesta kundër gjuhës seksiste të deputetëve

Gjuha seksiste dhe denigruese e përdorur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së 14 marsit, ka fyer rëndë dinjitetin njerëzor dhe moral të grave të përdhunuara gjatë luftës. Ky ishte qëndrimi i grave, të cilat protestuan para Kuvendit kundër qasjes dhe gjuhës seksiste të përdorur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kjo protestë është organizuar nga “Alter Habitus”, instituti për studime në shoqëri dhe kulturë.
Gjatë protestës, grupi “Have it”, shfaqën një performancë simbolike kundër ekzaminimit të grave të mbijetuara nga përdhunimi, me ç’rast copëtuan molla dhe i hodhën letrat me citimet e deputetëve të Kuvendit.
“Molla reprezanton shëndetin, nuk mundesh me ekzaminu diçka nësë nuk e shkatërron atë, dhe nësë një femër ekzaminohet në atë mënyrë ajo është shkatërrim i dytë për të. Këtë po e ofrojnë deputetët tonë, jemi kategorikisht kundër këtij ekzaminimi”, ka thënë njëra nga organizatoret e aksionit, Hana Qena.
Në anën tjetër Eli Krasniqi nga ky institut, ka thënë se ne seancën e 14 marsit është shpërfaqur gjuha seksiste dhe mendësia patriarkale, në klasën politike. Sipas saj, kjo gjuhë është përdorur edhe herave tjera mirëpo ajo tashmë është bërë e padurueshme kur bëhet fjalë për të mbijetuarat nga përdhunimet në Kosovë.
“Ne kemi organizuar protestën që kemi paralajmëruar kundër gjuhës dhe qasjes seksiste me të cilën është diskutuar në seancën e 14 marsit për ligjin ndër të tjera për gratë e përdhunuara gjatë luftës . Protesta ka pasur për qëllim të protestohet kundër kësaj gjuhe, qasja gjatë tërë diskutimit të seancës ka qenë qasje denigruese dhe qasje seksiste”, ka thënë Krasniqi.
Protestueset, gjithashtu, janë solidarizuar me aktivisten për të drejtat e grave nga Vetëvendosje!, Nazilje Bala, derisa kanë dënuar sulmin e mbrëmëshëm ndaj saj.. Ato mbanin në duar pankarta “Të gjitha jemi Nazlije Bala”.
“Pas sulmit të mbrëmshëm ndaj aktivistes Nazlije Bala, protesta është shndërruar edhe në protestë ndaj aktit dhe dhunës që është ushtruar ndaj Nazlijes. Ky akt është pjesë e vazhdimësive, është sulm ndaj përpjekjeve tona për të kaluar ky ligj, ne ju themi që këto sulme dhe kërcënime neve nuk na ndalin”, është shprehur Krasniqi.
Ndryshe, Në Kuvendin e Kosovës, me 14 mars 2013, u miratua në parim Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Ky projektligj u miratua me tri vota më shumë në lexim të parë, duke e njohur për herë të parë ligjërisht statusin e personave ndaj të cilëve u ushtrua dhunë seksuale gjatë luftës. Ky plotësim i ligjit synon, rehabilitim moral dhe mbështetje institucionale atyre që e mbijetuan dhunën seksuale./Indeksonline/