Jahjaga nderohet me mirënjohje nga Grupi i Grave Deputete

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u nderua me mirënjohje nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, për angazhimin dhe punën e saj. Në emër të Grupit të Grave Deputete mirënjohjen Presidentes Jahjaga ia ndau deputetja Teuta Sahatçija, e cila tha se mirënjohja i ndahet Presidentes për përgjegjshmëri, maturi e kujdes për shtetin dhe qytetarët
“Për angazhimin tuaj për rastin si ai i rrezikimit të kuotës gjinore, të emërimit të ambasadorëve, për përkrahje të javës së gruas e shumë gjëra të tjera, dëshirojmë t’ju falënderojmë dhe të shprehim respektin tonë me një mirënjohje”, tha zonja Sahatçija.
Mirënjohja e Grupit të Grave Deputete Presidentes Jahjaga iu dha në përmbyllje të Javës së Gruas, të organizuar nga NDI (Instituti Demokratik Kombëtar) në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete dhe në mbështetje të USAID.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke i falënderuar Grupin e Grave Deputete për mirënjohje tha se atë e ndanë së bashku me to dhe me të gjitha gratë në Kosovë.