Tirana falënderon NATO-n: Para 13 vitesh gjunjëzoi Sadamin e Ballkanit

13 vite më parë, në 24 marsin e vitit 1999, trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut nisën sulmin ajror në ish-Jugosllavi për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës nga barbaritë e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit.
Në një komunikatë për mediat Qeveria shqiptare vlerëson se “kjo ditë shënon shndërrimin e lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë në çështje madhore të NATO-s. Këto sulme të ndërthurura me qëndresën heroike të luftëtarëve të lirisë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren bënë që në një afat kohor relativisht të shkurtër Sadami i Ballkanit të firmosë kapitullimin dhe të marrë fund regjimi i tij kolonial në Kosovë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Sipas Qeverisë shqiptare kjo ofensivë historike për lirinë e shqiptarëve, por edhe të Ballkanit në tërësi shënon gjithashtu dimensionin e ri në misionin e Aleancës së Lirisë, më e fuqishmja e të gjitha kohërave në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore.
“Qeveria shqiptare shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, i cili udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe, forcave ushtarake të NATO-s për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës”, thekson Qeveria shqiptare.
Ekzekutivi shqiptar përshëndet popullin e Kosovës dhe udhëheqjen e saj që në një hark kohor të shkurtër e shndërruan Kosovën e pavarur në faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit.