E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga pret delegacionin e Kongresit amerikan

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dje gjatë orëve të vona të pasdites është takuar me delegacionin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në delegacionin amerikan ishin kongresistët David Dreier, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Connolly.
Zonja Jahjaga në këtë takim ka shprehur falënderimet e saj dhe të popullit të Kosovës për ndihmën që SHBA-ja, administrata e saj, Kongresi dhe populli amerikan, i kanë dhënë Kosovës në arritjen e lirisë.

Ajo theksoi se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve e qytetarëve të saj, me partnerët ndërkombëtarë.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë, e kanë dëshmuar përkushtimin ndaj Ballkanit dhe vizionit për Evropën e bashkuar dhe rajonin e Ballkanit të integruar plotësisht, thuhet në komunikatën për media të Presidencës së Kosovës.

Zonja Jahjaga theksoi se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe vlerësoi se zbatimi i planit Ahtisari, që ofron një gamë të gjërë të të drejtave për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për integrimin e komunitetit serb në gjithë territorin e Kosovës.

Sipas komunikatës, anëtarët e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, theksuan se vizita e tyre në Kosovë zhvillohet me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të ekspertizës, posaçërisht me Kuvendin e Kosovës.

Kongresistët amerikanë theksuan se Kosova është një vend që ka kaluar një histori të rëndë, por ka treguar sukses në gjithë këto vite të fundit. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›