E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaka: CEZ të ndalë gjobvënien abuzive të kamatvonesave ndaj bizneseve

TIRANE- Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka ka denoncuar në një konferencë për shtyp gjobat që sipas tij, kompania “CEZ Shpërndarje” po iu vendos bizneseve. Jaka ka deklaruar se shkak për gjobat është bërë mosshlyerja e kamatvonesave, me një afat deri në 6 vjet, të cilat janë vënë në mënyrë abuzive nga “CEZ Shpërndarje”.

“Shoqëria CEZ shpërndarje i dërgon fatura gjobash për kamat vonesa të papaguara për një periudhë 6 vjecare biznesit”, - tha Jaka. Shqetësimet e sipërmarrësve të drejtuara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, argumentojnë se CEZ shpërndarje dërgon në mënyrë abuzive në selitë e tyre gjoba për kamatvonesa të papaguara me shifra marramendëse. Logjika e përdorur është e paimagjinueshme. Kemi të bëjmë me rastet kur faturat janë lëshuar me vonese nga vetë CEZ shpërndarje dhe zotërinjtë e CEZ vonesat e lëshimit të këtyre faturave, ja faturojnë si kamatë vonesë sipërmarrjes private”, - u shpreh Jaka.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë u bën thirrje drejtuesve të CEZ që te heqin dorë një herë e mirë nga vendosja e gjobave të padrejta ndaj sipërmarrjes private si dhe të marrin masat për përmirësimin e shërbimit të furnizimit me energji elektrike në sasinë dhe cilësinë e duhur”, - përfundoi deklaratën e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka.

Ndërkaq, të kontaktuar nga “News24” për këtë çështje, kompania “CEZ Shpërndarje” deklaron se kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka duhet të bëjë publike listën e bizneseve të gjobitura me shumat që ai pretendon.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›