Jakaj: Partia po drejtohet nga një klan nepotik
PD, largohet anëtari i Këshillit Kombëtar
Funksioni - Besnik Jakaj ka mbajtur postin e drejtorit të Qendrës së Kontrollit të Barnave, nga i cili është shkarkuar në qershor të vitit të kaluar.
Politika - Në letrën e tij, ish-eksponenti i PD-së e lë të hapur mundësinë e qëndrimit në politikë, por larg partisë që drejton Kryeministri Berisha.
Forumet - Mosfunksionimi normal i forumeve të PD-së ka qenë shkak që nga kjo parti të largohen një sërë eksponentësh të rëndësishëm, një pjesë të cilëve sot janë pjesë e FRD-së.
Fatjona Mejdini
Partia Demokratike është cilësuar dje si nepotike, e paorganizuar dhe e lodhur nga pushteti. Këto deklarata nuk janë bërë nga ndonjë përfaqësues i ndonjë force politike opozitare, por nga Benik Jakaj, një demokrat i radhëve të para, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së që ka mbajtur poste të rëndësishme në ekzekutivin e drejtuar tetë vitet e fundit nga demokratët. Jakaj dha dje dorëheqjen nga të gjitha forumet e zgjedhura të PD-së, duke e shoqëruar këtë akt me një lumë akuzash në lidhje me funksionimin e brendshëm dhe në qeverisje të partisë më të madhe në mazhorancë. Në një letër dërguar lidershipit të PD dhe anëtarëve të forumeve të kësaj partie, ai deklaron se kjo parti është marrë peng nga një klan nepotik dhe financiar, pa u lënë mundësi përfaqësimi kontribuuesve të vërtetë. Natyrshëm më rezulton se PD dhe qeveria e saj janë shkëputur nga realiteti dhe po vuajnë nga sindroma e lodhjes nga pushteti. Fatkeqësisht, më rezulton se një grup është i ndërtuar mbi baza nepotike e interesa financiare dhe ka marrë peng strukturat e Partisë Demokratike e të qeverisë. Ky grup, për të realizuar qëllimet e veta, duke kontrolluar PD-në dhe qeverisjen e vendit, nuk është mbështetur te njerëzit me kontribute politike në PD, me vlera morale dhe aftësi intelektuale. Për këtë kanë përzgjedhur elemente të veçantë, brenda dhe jashtë strukturave të partisë, të gatshëm ti shërbejnë pa u ndier interesave të grupit, thekson Besnik Jakaj në deklaratën e tij, pa harruar të përmendë faktin se ai është kontribuues prej 20 vitesh në PD dhe i zgjedhur si anëtar i Këshillit Kombëtar nga tre Kuvende. Në letrën e tij të dorëheqjes, Jakaj vë në dukje se forumet drejtuese të PD janë jo ekzistente dhe lidershipi i partisë nuk ka shqetësimin më të vogël se në krye të tyre vijojnë të jenë njerëz të cilët nuk kanë mandat. Ka katër vjet që nuk mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, organi statutor më i lartë i drejtimit të partisë nga Kuvendi në Kuvend, i cili nuk ka kryer as minimumin e funksionit të tij statutor, pra zgjedhjen e nënkryetarëve dhe sekretariatit të partisë, e jo më të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme për të analizuar dhe diskutuar mbi qeverisjen e vendit, programin me të cilin dilet përpara qytetarëve, figurat që do ta përfaqësojnë Partinë Demokratike në qeverisje, vë në dukje Jakaj. Ai kërkon dhe mirëkuptimin e mbështetësve të tij brenda PD-së, duke i ftuar ata që përmes formave të ndryshme të mundohen të ndikojnë në të mirë të partisë e cila është themeluar rreth 22 vite më parë. Ftoj të gjithë ata që kanë të njëjtat shqetësime me mua, ose të tjera të ndryshme, të cilët nuk janë të paktë në Partinë Demokratike, të gjejnë format e reagimit të tyre për të ndikuar në të mirë të Partisë Demokratike, vendit dhe qytetarëve shqiptarë, e mbyll letrën ish-eksponenti i lartë i PD-së.
Jakaj: Partia po drejtohet nga një klan nepotik burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email