Koalicioni i PS, si ndahet pushteti
Kushtet ndaj Milos dhe Gjinushit për tu bërë ministra në qeverinë e së majtës
Mbyllen koalicionet në KQZ. LSI mund të ketë vetëm një emër në listat e deputetëve të PS-së
BLEDAR HOTI
Nëse PSD dhe PDS do të marrin 25 mijë vota si subjekt politik në rang vendi në zgjedhjet e 23 qershorit do kenë mundësinë e përfaqësimit me anë të posteve ministrore, në rast se zgjedhjet i fiton koalicioni i majtë politik. Kjo është marrëveshja e bërë në mënyrë individuale nga dy drejtuesit e partive politike, Gjinushi dhe Milo me kreun e PS-së, Edi Rama. Mësohet se kjo kuotë duket se ka kënaqur drejtuesit e partive politike, të cilët, në rast se vijnë në pushtet, do të kenë mundësinë e përfaqësimit në pushtet sipas numrit të votave. Maksimalja e marrjes së votave për të qenë në qeveri është 25 mijë vota. PSD-ja nuk mund të ketë deputet të saj në Kuvend, por marrja e 25 mijë votave do të sjellë përfaqësimin në qeverisje. Sipas burimeve pranë PS-së, ky pakt individual mund të jetë dhe me partinë e udhëhequr nga PBDNJ-ja. Në tratativat me partitë politike, Rama ka bërë të qartë ndarjen e pushtetit me aleatët sipas numrit të votave që ato do të përfitojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas paktit që kanë firmosur partitë e koalicionit rezulton se përfaqësimi në nivel qendror dhe lokal varet nga ky numër votash: nëse një subjekt politik merr 500-1000 vota do të përfaqësohen me poste në rang lokal, ndërsa nëse merr 5.000-10.000 vota, aleati i PS-së në qeverisje do të ketë të drejtën e përfaqësimit me poste në nivel qendror. Në zgjedhjet e vitit 2009, ato të përgjithshmet, PDS-ja ka marrë 10.390 vota, ndërsa PSD-ja ka përfituar 26.700 vota. Ndërsa në zgjedhjet e fundit vendore këto dy parti kanë pasur rritje të konsiderueshme të votave, me nga 53 mijë dhe 43 mijë vota. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim, PS-ja ka një marrëveshje të posaçme, nisur nga pesha e saj elektorale. Pakti përmban përfaqësim në qeverisje, ku burimet shprehen se ka tre portofola ministrorë, plus dhe drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Të gjitha këto, në rast se koalicioni i majtë merr pushtetin. Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se LSI-ja mund të ketë të drejtën e përfshirjes së një emri të saj në listat shumemërore të deputetëve të PS-së. Përflitet se LSI-ja mund të ketë kandidatë në listat e socialistëve në Qarkun e Fierit ose të Lezhës. Natyrisht kreu i LSI-së, Meta, do të dalë me listat e forcës së tij politike në Tiranë. Paraprakisht kjo është mohuar nga LSI-ja, e cila ka deklaruar se do të garojë me listat e saj në zgjedhje. Garimi në një koalicion me PS-në, i jep LSI-së garancinë që të marrë të paktën 5-6 deputetë dhe qenia e një deputeti të saj në zonën e sigurt të listave të PS-së, përfitimi i 7 deputetëve do të bënte që kjo parti të kishte grupin e saj parlamentar. Kjo enigmë do të zbulohet me shpalljen e listave përfundimtare të Partisë Socialiste.
PS, pakte të veçanta në KQZ me aleatët
Ndryshe nga PD-ja, PS-ja ka depozituar në KQZ pakte të posaçme me aleatët, ku partitë me më shumë peshë elektorale si LSI, PBDNJ, PSD, PDS kanë nënshkruar pakte të posaçme. Me 34 parti politike, më 21 prill, PS-ja ka firmosur një marrëveshje të përbashkët brenda një dite. Ndërsa me 6 parti të tjera marrëveshjet i janë bashkangjitur si anekse. Partia Socialiste e Shqipërisë, si partia lider i koalicionit zgjedhor Aleanca për Shqipërinë Europiane- ASE, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Edi Rama dhe partia LSI, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Ilir Meta, bien dakord që të përfshijnë në koalicionin zgjedhor ASE partinë LSI, duke bërë këtë parti si anëtare të koalicionit, si dhe duke pranuar të gjitha kushtet e rëna dakord në marrëveshjen e koalicionit. Kushtet dypalëshe janë përcaktuar në marrëveshjen e negociuar dhe nënshkruar përpara bashkimit në këtë koalicion zgjedhor, thuhet në tekstet e paktit mes Ramës dhe Metës. Kjo marrëveshje tip është nënshkruar me krerët e partive PSD, PDS, PBDNJ, Aleanca Popullore dhe Aleanca Demokristiane. Të gjithë këto parti kanë firmosur më 22 dhe 23 prill, në ditët e fundit të paraqitjes së koalicioneve zgjedhore në KQZ. Kjo tregon edhe për vështirësinë e negociatave që kreu i PS-së, Edi Rama, ka pasur me aleatët e tij tradicionalë, Gjinushi, Milo dhe Dule.
Gjinushi - Kreu i PSD-së, Gjinushi, pati pretendimet për përfshirje në listat e PS-së për deputetë, por kjo u rrëzua nga socialistët
Milo - Kreu i PDS-së, Milo, ka firmosur në momentet e fundit me Ramën më 23 prill, pas garancisë për përfshirje në qeveri
25 mijë vota - Mësohet se PS-ja i ka vënë si kusht dy aleatëve tradicionalë, PDS dhe PSD marrjen e 25 mijë vota për të pasur të drejtën e marrjes së një portofoli ministror
Meta - Më i përfituar nga pakti politik me PS-në duket se do të jetë Meta, i cili përflitet se veç tri ministrive, mund të ketë dhe një emër në listat e PS-së
Anekset - Në KQZ, PS-ja në marrëveshjen me koalicionet me aleatët i ka bashkangjitur gjashtë anekse, ku vërehen pakte të veçantë me krerët e partive si LSI, PSD, PDS, PBDNJ, Aleanca Popullore dhe Aleanca Demokristiane. Të gjitha këto marrëveshje janë nënshkruar më 23 prill, në datën e fundit të dorëzimit të koalicioneve në KQZ
Vendimi i KQZ-së
Koalicioni i PS-së, me 37 parti, koalicioni i PD, me 25 parti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje dy koalicionet politike të së majtës dhe së djathtës. Koalicioni i udhëhequr nga PS-ja, Aleanca për Shqipërinë Europiane, do të ketë gjithsej 37 subjekte politike. Nga 40 parti me të cilën ishte paraqitur drafti i koalicionit të majtë, KQZ-ja ka hequr tri parti. Kjo pasi Partia e Pensionistëve i është bashkuar koalicionit të djathtë, ndërsa dy subjektet e tjera, Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman dhe Partia e Prosperitetit Demokratik nuk janë regjistruar nga KQZ-ja. Koalicioni i udhëhequr nga PS-ja do të ketë inicialet ASE. KQZ-ja pati përplasje për çështjen e Partisë Aleanca Popullore, por pas debateve, u vendos që ky subjekt politik ti bashkohet koalicionit të opozitës. Katër anëtarët e KQZ-së, Lleshi, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj votuan pro regjistrimit të koalicionit të PS-së me 37 parti. Koalicioni i PD-së, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, APMI, do të ketë 25 parti politike. PD kishte paraqitur një listë me firmat e 26 kryetarëve të partive. Sipas njoftimit për shtyp, KQZ, pasi bëri verifikimet përkatëse dhe konstatoi se Partia Civile e Shqipërisë nuk është regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, në zbatim të Kodit Zgjedhor, neni 65, pika 1, vendosi që kjo parti politike nuk mund të jetë pjesëtare në një koalicion zgjedhor. Regjistrimi i kaq shumë partive politike duket se e bën të pamundur realizimin e numërimit elektronik të votimit në Qarkun e Fierit, për shkak se fleta e votimit, sipas kompanisë së kontraktuar, nuk duhet të përmbajë më shumë se 40 emra subjektesh. Por vetëm dy koalicioneve i janë rreshtuar 52 parti, pa llogaritur këtu se 2 subjekte politike, AK dhe FRD garojnë më vete. Pritet të dalin probleme pasi listës së subjekteve politike mund ti bashkohen dhe kandidatët e pavarur.
Koalicioni i PS, si ndahet pushteti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email