E Diel, 1 Nëntor 2026

Jakup Krasniqi e ka Negrocin mbrapa

E donë krejt katundi. Të gjithë kanë veç fjalë të mira. Bile, për të janë të gatshëm ta lënë edhe Partinë Demokratike të Kosovës, të cilës i kishin dhënë votat me shumicë në të gjitha zgjedhjet e deritanishme. Banorët e fshatit Negroc, prej nga vjen Kryetari i Kuvendit të Kosovës nuk duan të komentojnë shumë për largimin e tij nga PDK. Mirëpo, personalitetin e tij e çmojnë lartë dhe kanë shumë respekt për të, shkruan e përjavshmja “IP Magazinë”.

Mbishkrimet “PDK Thaçi” kanë mbetur ende të pashlyera në muret e oborreve të Negrocit, si kujtim i një kohe kur dy drenicakët përbënin boshtin kryesor të sjelljes politike të partisë.

E banorët e kanë të vështirë t’a braktisin simbolin identifikues të partisë, gishtin e madh të ngritur lart me dorën grusht.
Në Negroc, Jakup Krasniqin e përshkruajnë si njeri të ditur, të thjeshtë, të shkolluar dhe familjar. Sipas bashkëfshatarëve, Krasniqi njihet edhe për familje dhe farefis të shkolluar, të pasur dhe të sjellshëm.

Megjithatë, banorët e fshatit, disa nga të cilët nuk kishin dëgjuar ende për deklarimin e Krasniqit se do të largohet nga PDK-ja e disa të tjerë që e kishin parë përmes televizionit, ende nuk arrijnë ta besojnë se Jakup Krasniqi do ta lërë partinë e tij të themeluar nga krahu i luftës.

Por, nëse Jakup Krasniqi do ta hapë një parti të re, Negroci, i cili njihet si bastion i PDK-së, nuk do të veprojnë njëjtë. Krasniqët e Negrocit, të cilët e popullojnë në masë të madhe këtë fshat, do ta votojnë Jakup Krasniqin kudo që ai të shkojë.

Mirëpo, kryetari i Komunës, i cili udhëheq me vendin në të cilin gjendet edhe vendlindja e Krasniqit, Nexhat Demaku, ka thënë se nuk është mirë që është larguar Jakup Krasniqi nga PDK-ja duke e pasur parasysh se ai përbën një personalitet derisa ka shtuar se me largimin e tij, do të humb shumë partia.

Jakup Krasniqi njeri i sinqertë

Bashkëfshatarët e Jakup Krasniqit, kryeparlamentarin e njohin si njeri të mirë, të sinqertë dhe të ditur.
I shtyrë në moshë, duke ruajtur bagëtinë, Shaban Krasniqi, nuk kishte dëgjuar se Jakup Krasniqi ka deklaruar se do ta lërë PDK-në për shkak të pakënaqësive brendapërbrenda partisë. Megjithatë, 75 vjeçari nuk e pret mirë këtë lajm. Ai shprehet se kryeparlamentari duhet të ketë pasur ndonjë problem të madh, ndryshe nuk e beson se do ta bënte një gjë të tillë. Mirëpo, duke mos dashur të hyjë në punë të Krasniqit, i moshuari shprehet se “ai i di më së miri punët e tij”.

“Unë e njoh Jakup Krasniqin edhe para luftës, edhe në luftë, edhe tash. Njeri ma të mirë nuk ka. Ata janë familje e mirë, Jakupi është njeri i sinqertë, njeri i pasur. Ai gjithmonë ka qenë i pasur. Njeri ma të mirë nuk ka”, shprehet për IP Magazinë, bashkëfshatari i Krasniqit.

Por, nëse ky i fundit i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik në vend apo e hap një parti të re, Shaban Krasniqi i cili e ka votuar çdo herë PDK-në, i duhet të lë partinë për ta votuar bashkëvendësin. “Na jem mas tij me parti. Krejt familja e farefisi do ta votojmë Jakup Krasniqin”, shprehet Shabani, të cilit nuk i erdh aspak mirë për lajmin që e mori.

“Shumë parti të luftës”

Ndërkohë, një bashkëfshatar tjetër i Jakup Krasniqit, Halil Krasniqi thotë se nuk i ka ardhë fare mirë kur e ka dëgjuar lajmin për ndarjen e Krasniqit nga PDK-ja. Edhe pse Jakup Krasniqin e njeh si njeri të mirë dhe thotë se nuk ka fjalë të këqija për të, sipas Halilit, nëse edhe ai e hap një parti të re, po bëhen shumë krahë të luftës dhe po krijohen shumë parti.

“Nuk më ka ardhë mirë hiq kur kam digju. Po bëhen shumë krah të luftës, shumë parti derisa ka njerëz që në ditë nuk i fitojnë as 2 euro. Unë nuk kam fjalë të këqija për Jakupin asgjë. Jakup Krasniqin e njoh si njeri të thjeshtë, njeri që di të flasë edhe me fëmijë. Ai ka pas pasuri qysh atëherë mirëpo gjithmonë ka qenë i thjeshtë, nuk është mundu vetëm për vete. Nëse themelon parti të re normalisht që ia jap votën”, thotë për IP Magazinë, Halil Krasniqi.

Të gjithë pas tij

Edhe Bajrami, një bashkëvendës i shtyrë në moshë i Jakup Krasniqit e lavdëron ish Sekretarin e Përgjithshëm të PDK-së. Sipas Bajram Krasniqit, Jakupin do ta votojë kudo dhe në çfarë do partie që të shkojë.

Edhe ky bashkëvendës, Jakup Krasniqin e njeh si njeri përparimtar. “E përkrahim, e njohim si familjar, njeri i mirë, njeri përparimtar, njeri të shkolluar, të guximshëm. Jakup Krasniqi nuk është tutë kurrë, ka luftu, ka kontribu dhe është mundu vetëm për të mirën e vendit”, ka theksuar Bajram Krasniqi.

 Nxënësit e njohin më së miri ish mësuesin

Ndërsa, ish nxënësi i Jakup Krasniqit, Shaban Krasniqi, ka thënë se kryeparlamentarin e njeh qysh moti. Duke qenë nxënës i tij, 53 vjeçari, e vlerëson lartë personalitetin e tij. Shaban Krasniqi, edhe pse thotë se e ka dëgjuar lajmin për largimin e Jaujp Krasniqit nga PDK-ja, nuk dëshiron ta komentojë një gjë të tillë duke thënë se ai i di më mirë punët e veta. Derisa për Jakupin si njeri, ka shumë respekt, shkruan nw numrin e kësaj jave revista IP Magazinë.

“Është njeri i mirë, njeri i shkolluar. Jakup Krasniqi është njeri korrekt, unë kam qenë nxënës i tij dhe është shumë i drejtë”, ka theksuar Shabani, duke shtuar se Jakup Krasniqi e ka edhe votën e tij pavarësisht në çfarë partie do ta vazhdojë karrierën.

Dikur e njihnin si ushtar

Jakup Krasniqin e njohin si bashkëfshatar, si bashkëluftëtar dhe tani si politikan. Fata Krasniqi, banore e Negrocit, personalitetin e Krasniqit e vlerëson shumë. Fata, e cila thotë se me bashkëshorten e Jakup Krasniqit kanë qëndruar në një shtëpi gjatë kohës së luftës, ka shumë respekt për Krasniqin si njeri dhe familjen e tij.

Sipas Fatës, përveç Krasniqit që e ka ndihmuar të gjithë fshatin në kohë të luftës, të gjitha vuajtjet dhe tmerret i ka përjetuar edhe bashkëshortja e tij, e cila ka qëndruar në fshat dhe nën të njëjtën çati me të gjitha gratë e fshatit.
Ajo e cilëson Jakup Krasniqin si njeri të drejtë dhe i cili nuk i do njerëzit vetëm se kanë ndonjë pozitë apo për interes të caktuar.

Me largimin e Krasniqit, ka humbur PDK-ja

Kurse, vet kryetari i cili udhëheq me Komunën në të cilën ndodhet edhe vendlindja e Jakup Krasniqit, Nexhat Demaku, ka thënë se me largimin e Jakup Krasniqit nga PDK-ja më shumë ka humbur kjo e fundit. Demaku e vlerëson Krasniqin si një personalitet dhe që ka dhënë kontribut. Megjithatë, deklarimet e Krasniqit nuk ia mbushin fort mendjen se do të japë dorëheqje.

“Ky deklarimi i fundit nuk po më duket që është diçka më shumë se ai i mëparshmi. Sa më përket mua, unë jam kundër largimit të Jakup Krasniqit nga PDK-ja sepse Krasniqi përbën një personalitet. Nuk është që ka dhënë ndonjë kontribut të madh në Drenas sa ka kontribuuar në organet udhëheqëse të PDK-së në aspektin politik”, është shprehur Demaku. Sipas tij, Kosova ka mjaft parti dhe nuk i duhet edhe një e re./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›