E Diel, 1 Nëntor 2026

VV kremton tetë vjetorin e themelimit

Në tetë vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes, drejtuesit e saj vlerësojnë se kjo lëvizje ka arritur të ndryshojë perceptimin për politikën në Kosovë. Lideri i saj Albin Kurti, në një konferencë për media, tha se që nga themelimi i lëvizjes politika nuk është e limituar në përfaqësim e ndërmjetësim, por me koncept e vullnet.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se para tre vjetësh kjo lëvizje manifestin e saj e ka avancuar në program politik dhe së fundi edhe në alternativë qeverisëse. Kurti këto deklarata i bëri me rastin e tetë tjetërorit të themelimit të Vetëvendosjes. Ai tha se populli ka nevojë për transformim të shtetit të Kosovës.

“Kosova duhet të shndërrohet nga një shtet konsumator në një shtet prodhues, nga një shtet të korruptuar në një shtet ku sundimi sjell drejtësi për qytetarët dhe u garanton të drejtat qytetarëve. Kosova duhet të transformohet nga një shtet që bisedon me Beogradin për territorin e brendshëm të saj, në një shtet që bashkon Mitrovicën dhe bisedon me Tiranën për bashkim kombëtar”.

Ndërkohë, aktivistja, Aida Durguti, foli për angazhimet e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e pozitës së gruas në shoqëri.

“Edhe pse çdo ditë kemi anëtarësime të reja të grave dhe vajzave, megjithatë mbetet edhe shumë për tu bërë për ta ndryshuar pozitën e gruan në shoqërinë tonë. Në besojmë që synimi ynë për të bërë ndryshime rrënjësore në shoqëri nuk mund të arrihet pa angazhimin domethënës të grave dhe vajzave të Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2005, që synim kishte kundërshtimin e negociatave që planifikoheshin me Serbinë. Parulla e saj ishte “Jo negociatat, vetëvendosje” dhe këto kundërshtime ajo i shprehte edhe përmes protestave në rrugë. Përveç arrestimeve të aktivistëve të saj, më 10 shkurt 2007, në një protestë në qendër të Prishtinës u vranë edhe Mon Balaj e Arben Gjeladini. Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2010, kjo lëvizje hyri në Kuvendin e Kosovës me 12 deputetë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›