E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jakup Krasniqi shpallet Ambasador i Paqes

TIRANE-Kryeparlamentarit të Kosovës i është dhënë të premten titulli “Ambasador i paqes”. Këtë titull kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ia ka dhënë presidenti i Federatës Universale të Paqes për Evropën, Yong Cheol Song, i cili e ka vizituar Krasniqin së bashku me një delegacion të ambasadorëve të paqes.

Kjo është bërë e ditur në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, në të cilën thuhet se “Yong Cheol Song, gjatë këtij takimi i dhuroi kryekuvendarit Krasniqi diplomën e anëtarësimit në Federatën Universale të Paqes, përkatësisht iu dha titulli ‘Ambasador i paqes’”. Më tej thuhet se presidenti Yong Cheol Song e ka çmuar angazhimin e legjislativit në integrimin e minoriteteve në këtë institucion.
“Yong Cheol Song theksoi se Parlamenti i Kosovës është shembull i shkëlqyer sesi trajtohen minoritetet. Megjithëse është institucion i ri, Parlamenti i Kosovës është shembull i parlamentit modern dhe i demokracisë”, citohet të ketë thënë presidenti Yong Cheol Song.
Ky i fundit, sipas komunikatës, thuhet se e ka njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi se ai personalisht është duke u angazhuar që ta promovojë shtetin e Kosovës nëpër botë. Krasniqi ka pritur të premten edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff.
Po përmes komunikatës të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës ceket se Mbretëria e Bashkuar e mbështet fuqishëm sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Ndërsa bëhet me dije se kryekuvendari Krasniqi e ka siguruar diplomatin britanik se do të angazhohet që edhe më tutje të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, e në veçanti ndërmjet parlamenteve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›