Jane, engjëlli në mes të plehrave
Janë disa vende në planetin tonë, të cilat meritojnë plotësisht që të konsiderohen si "ferri mbi Tokë". Një prej tyre është një zonë në periferi të kryeqytetit të Filipineve, Manila. Është një zonë ku sundojnë plehrat dhe mbeturinat, që janë shndërruar në male të vërtetë që emetojnë helm e dëshpërim. Në këtë atmosferë ferri sillen rrotull e jetojnë fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, pleq e burra që jetojnë pikërisht nga mbeturinat e hedhura. Për të përshkruar këtë situatë nuk do të ishte i duhur as epiteti "dikensian". Vetë Dikensi i madh, nëse do të ishte gjallë dhe do t‘i kishte rënë rruga nga ky vend-ferr në periferi të Manilës, do të kishte mbetur me "gojë hapur". Të mendosh se në këtë zonë që sa vjen e rritet hidhen plehrat e një qyteti me 15 milionë banorë dhe gjithë kjo në një temperaturë që i kalon të 35 gradët. Ajo çka është me të vërtetë tronditëse është fakti që për 4000 mijë persona ky vend konsiderohet "shtëpi". Në mes të këtij monstruoziteti, ndodhet një engjëll që shpërndan ujë, ushqime dhe përqafime. Ajo është një grua britanike, 45 vjeç, e cila njihet në këto rrethina si "mami", ndërsa në shtypin filipinas shpesh e konsiderojnë si "engjëlli i plehrave". "Ku ishe?", pyet ajo një djalë të vogël para se ta rrokë në krahët e saj dhe t‘i marrë premtimin se do të shkojë sërish në shkollën që organizata "Jane Walker" ka ngritur për fëmijët e varfër. "Atmosfera këtu është mbytëse, plot me stres dhe sëmundje, por ajo çka të dhemb më shumë është braktisja me të cilën përballen banorët e kësaj zone", thotë Jane. Ajo erdhi në këtë vend 13 vite të shkuara. Gjithçka ndodhi krejt rastësisht. Ndodhej me pushime në Filipine, pasi kishte marrë leje tremujore nga shtëpia botuese ku punonte. "Një ditë vendosa të shkoja e të shihja vendin që të gjithë e quanin "ferri në Tokë". Ajo ç‘ka pashë më goditi rëndë. Në malet e plehrave më zunë sytë mijëra vetë që rrëmonin e rrëmonin pa fund. Nuk mund ta harroj atë që më panë sytë". Ajo rrëfen se udhëtimin e kishte marrë për t‘u çlodhur, por edhe për të reflektuar mbi të ardhmen e saj dhe për gjetjen e një rruge të re në jetë, duke qenë se puna në shtëpinë botuese e kishte ezauruar. Filipinet u përpoqën prej vitesh që të arrinin një standard ekonomik, si atë të vendeve që përbënin Tigrat e Azisë, por sigurisht që nuk ia arritën. Ekonomia e këtij vendi bazohej më shumë në të ardhurat që sillnin në atdhe miliona refugjatët filipinas nëpër botë. Veç kësaj, turizmi përbënte një tjetër pikë të fortë, por ndërsa zonat turistike janë vërtet perla, zona si ajo e periferisë së Manilës janë një turp e dhimbje e madhe. Por varfëria nuk është e përqendruar vetëm në këto zona, por shtrihet në të gjithë vendin dhe është një fakt i padiskutueshëm i jetës së përditshme. Jane priste që të shihte një parajsë tropikale, kur mbërriti në Filipine për herë të parë, por në vend të parajsës, gjatë rrugës nga aeroporti në qendër të qytetit, ajo u ndesh me pamje të cilat i konsideron pa frikë si ndër "më rrëqethëset" në botë. Që nga ai moment i lindi dëshira që të bënte diçka për këtë realitet, për këta njerëz të cilëve të gjithë ua kishin kthyer kurrizin. Vendosi të vinte e të ikte nga Filipinet e ndërkohë të përqendrohej në zonat ku askush nuk dëshironte të punonte, apo të ndihmonte, që është edhe një nga zonat më të rrezikshme të Manilës. Në vitin 2002, nëna beqare nga Britania e Madhe hapi një fond për komunitetin e Filipineve dhe u krijoi disa mundësi jetese, sidomos fëmijëve të vegjël. Sot, mbi 400 syresh, të veshur me uniforma blu, janë regjistruar në shkollat e hapura prej saj, ku mësojnë e veç të tjerash ushtrojnë edhe aftësitë e tyre në art e sport. Sigurisht që bëhet fjalë për fëmijë analfabetë dhe të kequshqyer, për të cilët kjo shkollë është mrekullia mbi tokë. E gjithë kjo popullsi jeton me paratë e pakta që fiton nga mbledhja e disa plehrave të veçanta, por ato dalin sa për një copë bukë. Një të rrituri i duhet të punojë gjatë së gjithë ditës për të fituar një dollar, me të cilin mund të blejë vetëm bukë e djathë për një person. Ndërkohë sëmundjet janë nga më të ndryshmet dhe nga më të shumtat: pneumoni, tuberkuloz, krimba barku. Një pjesë e të miturve bëhen pre e krimit, trafikantëve të seksit, a më keq akoma. Sipas një studimi të Universitetit të Manilës, pjesa më e madhe e personave që jetojnë në këto zona kanë shitur një ose më shumë organe të trupit. Shumë prej tyre bien pre e trafikantëve të organeve që i grabisin, vrasin e u marrin organet. Në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 700 zona të tilla me plehra, në të cilat mendohet se jetojnë mbi 2 milionë vetë. Çka është më e keqe është fakti që ky realitet nuk ndryshon kurrë. Qëndron gjithnjë e i njëjti që prej vitesh. Për të shkruhet në shtypin e së gjithë botës, janë bërë filma, protesta, vijnë shoqata të ndryshme që ndihmojnë sa ndihmojnë e më pas largohen të dëshpëruara se nuk ia kanë dalë dot të ndryshojnë një realitet shumë shumë të ashpër. Së fundi, ky realitet po keqësohet nga recesioni dhe kriza ekonomike. Polarizimi i shoqërisë është i jashtëzakonshëm. Një e treta e popullsisë jeton nën standardet e varfërisë zyrtare, pra me më pak se tre dollarë në ditë për një familje prej pesë vetash, ndërkohë që vendi zotërohet nga një grusht familjesh të krimbura në para. Vendi braktiset përditë nga filipinasit. Sipas statistikave, 90 milionë filipinas jetojnë jashtë shtetit dhe të ardhurat që ata sjellin në shtëpi janë 16 miliardë dollarë çdo vit. Për sa i përket qendrës së ngritur nga anglezja, ajo është përqendruar më së shumti në shpëtimin e rasteve më të rënda të të kequshqyerve. Për t‘i ndjellë fëmijët që të vijnë në shkollë, Jane u ofron në këmbim të mësimit ushqime, të cilat ata i çojnë në fund të çdo dite në shtëpi. Sfida e re e Jane është që të vazhdojë të punojë në këtë vend, pavarësisht se recesioni ka bërë që donacionet të bien në masën 50 për qind. Ajo çka të bën përshtypje te një njeri si Jane është përkushtimi ndaj vuajtjes së njerëzve që janë larg atdheut të saj. "Njerëzimi është i gjithi i gatuar prej të njëjtit brumë dhe sa më vonë ta kuptojmë se jemi vëllezër e motra e duhet të bëjmë për njëri-tjetrin pavarësisht racave, gjinive e gjeografisë, aq më tepër do të vonojë zgjidhja e problemeve të përbashkëta"