E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janë idiotët, jo ekonomia

ILIR CIKO

I bezdisur prej marrjes së një SMS-je të dërguar me nxitim, ndoshta pas leximit në gazeta të një artikulli mbi idiotët dhe ekonominë, një prej atyre të mençurve në Partinë Socialiste lëvizi me përtesë nga gjumi letargjik dhe duke gogësirë nxori prej xhepi një letër të zhubravitur që e ruante prej kur smbahej mend, e ashtu siç kishte bërë dhe plot herë të tjera, i ra celularit e diktoi fjalë për fjalë të njëjtën përmbajtje qumështi, buka, mielli, vezët, sheqeri. TVSH. Shtoni dhe ilaçet e energjinë!
Mund edhe të mos ketë ndodhur pikërisht kështu, por me shumë gjasa e tillë pak a shumë duket të jetë zanafilla e shpalosjes së propozimit të fundit prej selisë së Partisë Socialiste, publikuar me fanfara në Twitter e në të gjitha gazetat e vendit dhe shoqëruar madje me një goxha tabelë mbresëlënëse në të cilën, veç shumë e shumë të tjerash, ende rrekem më kot të kuptoj se përse vallë është vendosur edhe një shumatore në rreshtin e fundit të saj.
Të merresh me nxjerrjen dhe analizën e gurit të fundit të hedhur në pellgun e cekët të ideve që rrallë e më rrallë prodhohen sot në selinë e Partisë Socialiste, mund të ketë vlerë veçse për ata që sbëjnë tjetër gjë veç ditë e natë adhurojnë, citojnë përmendësh e shpërndajnë në internet thëniet e kryetarit të tyre. Si të gjitha propozimet spontane të viteve të fundit që hidhen nga selia e PS, edhe propozimi për uljen e masës së TVSH për disa artikuj, kryesisht ushqimorë në vend, ngjan më së shumti me një fishekzjarr të lëshuar në një mesditë me diell mes entuziazmit fëmijëror, sesa me një përpjekje serioze për të ndërtuar reforma efektive fiskale.
Një propozim i tillë nuk duket se bazohet në ndonjë strategji që të japë një vizion tërheqës rreth politikave fiskale të PS, nuk jep as ndonjë arsye se përse TVSH e miellit e qumështit është çështje më parësore për interesin publik se p.sh. bie fjala siguria ushqimore e qumështit dhe miellit që konsumojmë, nuk kryen as edhe një analizë të thjeshtë se cili mund të ishte efekti në buxhetin e vendit i këtij propozimi dhe se si do të përballohej ky efekt, që ndryshe mund të na përkthehet në më pak policë kur krimi shtrohet këmbëkryq në çdo qytet apo në pensione më të ulëta kur dhe ato që janë, dihet se si janë.
Kryetari i Partisë Socialiste mund të kishte konsultuar cilindo nga profesorët e nderuar të ekonomisë që di ti përdorë veçse si dekor kurdo që i duhet të organizojë kongresin e radhës dhe mendja ma do se shumë prej tyre (në mos të gjithë, pasi deri më sot ende nuk kam dëgjuar ndonjë entuziast me mend në kokë mbi këtë çështje) do ti thoshin se një propozim i tillë çalon thuajse në të gjitha drejtimet e mundshme. Çalon ca, madje edhe aty ku pikërisht ai kërkon të serviret, pasi nuk është se krahasimisht paraqet ndonjë vlerë të veçantë për shtresat e varfra të popullsisë, krahasimisht me ato që janë më të pasura (TVSH aplikohet uniformisht për të pasur e të varfër, pavarësisht peshës që produktet kanë në konsumin e secilit grup social), ndryshe nga mund të ishte p.sh. një politikë ndihmuese ndaj fermerëve të varfër për ti bërë ata më konkurrues e rrjedhimisht të zotë për të dhënë me çmim edhe më të ulët në treg prodhimin e tyre të qumështit apo grurit.
Shumë prej tyre mund të kishin tentuar për të shkuar ca më tej, e për ti shpjeguar me durim se rruga më e mirë që sot po ndiqet nga të gjitha vendet e prekura nga kriza e që kanë dëshmuar ca mençuri në këto çështje, nuk është ulja e taksave për të stimuluar konsumin, e në rastin tonë ca edhe me keq, rritjen e importit, pasi të gjitha ato produkte bujqësore i importojmë nja 10 herë më shumë se i prodhojmë, por do të ishte më me dobi të pleqërohej se ku dhe si mund të hapeshin më tepër ca vende pune që do të rrisnin mirëqenien e vendit, përmes politikave stimuluese të përpunuara (bie fjala ulja apo heqja e TVSH për aktivitete të caktuara prodhuese apo shërbime e jo produkte), investimeve të rritura publike apo mbështetjen më të mirë të atyre private, e që vështirë se këto gjëra mund të përmblidhen fët e fët në një tabelë që do të mahniste të madh e të vogël të këtij vendi. E ndoshta ndonjë tjetër mund të përpiqej ti tregonte se ka edhe forma mbështetëse, shumë herë më të fokusuara e të dobishme për grupet më në nevojë sesa ulja e nivelit të TVSH, e kështu me radhë për shumë modele të tjera alternative.
Ndonjë tjetër mund ti kishte thënë se qeveria ka kusuret e saj e, me sistemin që kemi, është vota ajo që ndan shapin nga sheqeri, por detyra e opozitës është të bëjë opozitën, e kjo do të thotë që të bëjë edhe ajo ca detyra që i takojnë si opozitë, pasi kështu mbase do të përfitonin shumë më tepër të varfrit e shumtë të këtij vendi. Se bie fjala, sot ata që përfaqësojnë Partinë Socialiste, nuk pipëtijnë as edhe një gjysmë fjale, e shumë madje edhe ngazëllehen në ngushtësinë e mendësisë së tyre politike, mbi të vërtetën që ky vend, thelbësisht për bajraktarizmin e politikës si pjellë e shterpësisë së saj, ka humbur sërish, jo atë termin e konsumuar teorik të statusit për të cilin xhonturqit e PS-së dinë mirë të ligjërojnë kur duhet të flasin tryezave të NGO-ve apo kuvendojnë me delegacione e ambasadorë, por shkoqur dhe dhimbshëm, përfitimin e fondeve që do të mund të tërhiqte me marrjen e statusit për në Bashkimin Europian. Fonde që së pari jepen pikërisht për të përmirësuar dallimet e zhvillimit si brenda nesh, ashtu dhe mes nesh e Bashkimit Europian që kërkojmë të arrijmë, e sduam ta arrijmë. Fonde të cilat nëse këtë vit do të  arrinin në Shqipëri, edhe qumështi, edhe gruri, edhe vezët, edhe mielli, për të cilat kryetari i PS u kujtua sërish dy javë para Kongresit të tij të radhës, do të prodhoheshin më mirë e më lirë, e për të cilat në radhë të parë do të përfitonin pikërisht ata që kanë qenë, e po qe për këtë politikë, do të vazhdojnë të jenë jetë e mot të varfër.
Do ti kishin thënë se në vend të merret ashtu si sduhet me orizin e makaronat, opozitës së paku i duhet të nisë punën nga A-ja e të tregojë nëse a ka ndonjë drejtim të mirë ku mund të bashkojë zërin me qeverinë, se mendja sma ha se çdo gjë që bën qeveria është domosdo e keqe dhe e gabuar, që të mos vazhdojmë edhe për njëzet e kusur vite të tjera, duke u rropatur nëpër reforma e eksperimente, por të kemi një shtet që funksionon si duhet, me ato pak mundësi që kemi.
Por askush nuk ia thotë, e me sa dëgjoj e shikoj, nuk besoj se as pyetet më njeri. Partia Socialiste ka 6 vite që nuk paraqet program, nuk ka strategji për vendin, nuk di të identifikojë përparësi të veprimit opozitar e politik, vështirë se ndokush mund të jetë në gjendje për të shpalosur qoftë edhe me pak fjalë ndonjë vizion të qëndrueshëm për platforma të saj për fusha të caktuara, e për më tepër, kështu e në mos më keq duket se po vazhdohet e do të vazhdohet. Programi i vetëm që ende kujtohet si anekdotë e hidhur (duket se ende nuk është lexuar as edhe nga sekretari i partisë për programin), është ai që simbolikisht iu dorëzua si kopje e vetme presidentit Meidani në prag-zgjedhjet e vitit 2009 e që kurrë edhe sot e kësaj dite nuk e pa ndonjëherë dritën e diellit, me gjithë kuriozitetin e gazetarëve apo interesin publik që mund të ketë në të mirë të tij një dokument i tillë, edhe nëse mbetesh në opozitë.
Ndaj, të gjithë ata që sot me keqardhje e ndiejnë veten shumë më tepër socialistë se ata që shohim çdo ditë e natë në ekrane e që pak i lidh e shumë i ndan nga Partia Socialiste, me plot të drejtë pyesin se si është e mundur që të ketë një degradim të tillë të mençurisë e veprimit politik, të angazhimit për të marrë përgjegjësi dhe të vendosmërisë e kontributit për të dhënë zgjidhje të qëndrueshme, të paparë e dëgjuar ndonjëherë gjatë këtij shekulli? Si është e mundur që synohet të vihet në pushtet e të kërkosh të drejtosh vendin duke pasqyruar veçse varfëri ekstreme idesh, shumë herë më të mjerë se varfë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›