E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja deleadash

Nga Ardian Vehbiu

A ka dinjitet gegnishtja për me qenë e folme publike? Këtë pyetje bënte Ardian Ndreca, në një shkrim të paradokohshëm. Pyetja është nga ato që, në anglishte, i quajnë loaded, sa kohë që shqipja, në momentin e tanishëm, nuk ka nevojë për një të folme të re publike; por vetëm që, folësit e saj publikë, ta respektojnë.

Pyetja është edhe e formuluar keq gegnishtja, si dialekt i shqipes, nuk mund të bëhet e folme publike; pse duhet të letrarizohet më parë. Nëse Ndreca e ka fjalën për shkodranishten letrare, të cilën edhe e shkruan vetë mirë, atëherë do të bënte mirë ta quante ashtu, me emrin e vet të saktë, dhe jo ta maskonte partikularizmin e vet me termin e përgjithshëm gegnishtja.

Dhe, gjithsesi, shkodranishtja letrare, si sistem, e ka gjithë dinjitetin që do ti duhej për tu bërë dikur e folme publike; por kjo vështirë se do të ndodhë dot, për arsye historike dhe kulturore të mirënjohura, mes të cilave, më e rëndësishmja ka të bëjë me lidhjet e ngushta të atij varianti letrar me katolikët dhe katolicizmin; si dhe me faktin që shkodranishten letrare sot e shkruajnë a se shkruajnë shtatë veta gjithsej, në mbarë trevat shqiptare.

Përkundrazi, shumë nga ata që kërkojnë të sfidojnë hegjemoninë e shqipes standard, duke shkruar forma kuturu të gegërishtes të cilat i paraqitin si gjuhën e Fishtës etj., në fakt janë duke ia cenuar asaj prestigjin dhe dinjitetin, përveç katrahurës që po i bëjnë shqipes.

Një prej këtyre subversivëve është prof. Romeo Gurakuqi, i Institutit të Historisë Bashkëkohore, Universiteti Europian i Tiranës, shkrimi i të cilit, me titullin: Topalli, nji përfaqësuese e denjë politike e Shkodrës dhe e Shqipnisë, e deklaron menjëherë qëllimin për të provokuar standardin gjuhësor të shqipes, nëpërmjet formave alternative të gegërishtes.

Për fat të keq, prof. Gurakuqi nuk di ta shkruajë këtë gegërishte që kërkon të promovojë, duke prodhuar, me ligjërimin e vet të çalë, një efekt të kundërt nga ai që ka në mendje.

Gjuha e artikullit të tij është një mish-mash formash të standardit dhe të dialektit geg, të kombinuara në mënyrë të papërgjegjshme, nga një autor që nuk duhej ti kishte hyrë kësaj pune, sepse është inkompetent në lëmin e përdorimit të gjuhës. Ligjërimi, edhe i folur edhe i shkruar, mbështetet mbi njësinë e trajtave fonetike, gramatikore, leksikore. Kjo vlen veçanërisht për ligjërimin e shkruar, i cili prirjen e natyrshme të gjuhës drejt njësimit e shndërron në kriter organizues të tekstit. Prof. Gurakuqi i Universitetit Europian të Tiranës nuk arrin dot ta bëjë këtë, duke dalë në publik me një shqipe që është më e paqëndrueshme në trajtat edhe se ajo e Buzukut, që e shkroi shqipen për herë të parë në shek. XVI.

Në përgjithësi, artikulli në fjalë, me të cilin autori rreket të sfidojë standardin duke shkruar në gegërishte, ofron, në të vërtetë, provën më elokuente pse gegërishtja si dialekt dhe si variant letrar, ose në gjendjen e saj të sotme përballë standardit nuk mund të shkruhet dhe, në përgjithësi, të përdoret në publik nga gegët çfarëdo, pa një përgatitje filologjike të posaçme, të cilën normalisht duhej ta ofronte shkolla (ose studimi autodidakt, siç besoj ka qenë rasti me disa përdorues të sotëm publikë të shkodranishtes letrare korrekte).

Përndryshe, gjestin e këtij përfaqësuesi të Universitetit Europian të Tiranës unë do ta quaja, pa ngurim, formë të vandalizmit gjuhësor dhe kulturor; meqë të lexosh shqipen e çalë të prof. Gurakuqit, të vjen të vësh kujën nga dhimbja dhe pafuqia; si dhe të revoltohesh për papërgjegjësinë e gazetës, e cila lejon keqtrajtimin e vetëdijshëm të shqipes së shkruar, në këto nivele.

Të jemi të qartë: unë nuk kam as më të voglin problem me gegërishten që shkruajnë autorë si Primo Shllaku, ose Ardian Ndreca; të cilët kanë një vizion në mendje dhe kërkojnë ta bëjnë realitet, duke respektuar, para së gjithash, variantin letrar që lëvrojnë si dhe lexuesit e tyre. Por kjo që ka bërë prof. Gurakuqi nuk ka lidhje as me pluralizmin kulturor, as me rimëkëmbjen e një tradite të shtypur e të shurdhuar padrejtësisht. Përkundrazi, unë do ta quaja një formë hubris-i ose megalomanie, nga kush me siguri kujton se i mjafton prejardhja fisnike, mëhalla ku ka luajtur futboll i vogël dhe genet, për të sfiduar standardin gjuhësor të shqipes.

Është për të ardhur keq që kauza e shkodranishtes letrare, ose edhe e Shkodrës së Bushatlinjëve të mëdhenj, të Gurakuqit [Luigjit, shënimi im], Fishtës, Koliqit, Pipës, Draçinit dhe udhërrefyesit tonë të gjallë e të paçmuem, profesor Sami Repishtit, që na veshtron, korrigjon, qorton dhe drejton nga larg, siç shprehet vetë prof. Gurakuqi, të mbrohet dhe të promovohet në nivele të tilla të mjerueshme, nga autorë që, kundër dëshirës së tyre, veç provojnë se janë të padenjë për misionin titanik që mund tia kenë dhënë vetes.

*Marrë me shkurtime. Artikulli i plotë mund të lexohet në blogun Peizazhe të Fjalës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›